Nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri”, kartolinë nëntori në prag të festave

TIRANË, 12 nëntor /ATSH/ Nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri” në kryeqytet, në prag të festave të nëntorit kanë krijuar një version ndryshe të këngës “Rrjedh në këngë e ligjërime” të këngëtares Vaçe Zela.
Kryeministri Edi Rama përcolli sot në rrjetet sociale një video, duke e cilësuar si një “kartolinë nëntori, krijuar me pasion nga vetë nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri””.
Nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri” e kanë regjistruar këngën e artistes së madhe Vaçe Zela në një studio muzikore, ndërsa e kanë shoqëruar edhe me disa imazhe nga pikat më të njohura turistike të vendit.
Të veshur kuqezi, gjimnazistët kanë performuar edhe me numra artistikë në ambientet e shkollës dhe në palestrën e “Sami Frashërit”, si edhe me lojërat e shahut mes nxënësve, dhe disa momente mes këngëve dhe valleve në sheshin “Skënderbej”.
/e.i/r.e/a.f/