E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sala: Në 2026-ën, rimbursim i barnave antitumorale për pacientët e Onkologjikut

TIRANË, 12 nëntor /ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala nënvizoi sot se në projektbuxhetin e vitit 2026 përfshihet edhe rimbursimi i të gjitha barnave antitumorale për të sëmurët që trajtohen në Spitalin Onkologjik.

Gjatë prezantimit të projektbuxhetit 2026 të MSHMS, Sala tha se fondi i parashikuar për këto barna është 1,5 miliardë lekë.

Gjithashtu, sipas Salës shpenzimet e skemës së sigurimeve të kujdesit shëndetësor (FSDKSH) për vitin 2026 janë parashikuar në masën 67,3 miliardë lekë ose 7,6% të buxhetit të shtetit dhe 2,4% e GDP.

“Kjo është një rritje prej 4,2 miliardë lekë nga 63,1 miliardë lekë të parashikuara për vitin 2025. Këtu përfshihet efekti financiar i rritjes së pagave në janar 2026, si dhe rritja e vlerës për rimbursimin e barnave”, tha ajo.

Ministrja Sala shtoi se investimet për vitin 2026 për MSHMS arrijnë në vlerë 4,2 miliardë  lekë nga të cilat, 3,5 miliardë lekë me financim të brendshëm dhe 0,7 miliardë lekë investime me financim të huaj.

Programi shërbime të kujdesit parësor i cili përfshin financimin e rreth 7,6 milionë vizitave në sistemin parësor, me një parashikim në financim në vlerën 2,3 miliardë lekë, mbulimin universal për kontrollin bazë mjekësor Check-up për grup-moshën 35-70 vjeç, me një vlerë financimi 699 milionë lekë, rimbursim të fishave për matjen e diabetit për të moshuarit mbi 65 vjeç, si dhe personat me aftësi të kufizuar, do të vazhdojë si politikë edhe për vitin 2026, me një vlerë financimi 166 milionë lekë.

“Si risi për këtë program për vitin 2026 është ofrimi i paketës së stomës, për rreth 770 pacientë, me një vlerë financimi 150 milionë lekë”, theksoi Sala.

Ministrja Sala tha se rimbursimi i barnave në Listën e Barnave të Rimbursueshme (FOND), ka një shtesë prej 900 milionë lekësh ose 7% (nga 12,6 miliardë në 2025, në 13,5 miliardë në 2026).

“500 milionë lekë janë të dedikuara për barnat onkologjike. Këto barna shkojnë për rreth 400 mijë pacient. Aktualisht lista e barnave e përditësuar ka 1345 barna në total, nga 1191 që ishin në listën e mëparshme. Duke krahasuar shërbimin parësor me Fazën II të PBA 2026-2028 kemi një rritje prej 743 milionë lekë në transfertën e buxhetit të shtetit dhe 2,9 miliardë lekë në kontribute shëndetësore, për këtë arsye i kërkojmë Ministrisë së Financës që vlera prej 2,9 miliardë lekësh të kalojë nga shërbimi parësor në atë dytësor”, pohoi Sala.

/e.i/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›