E Diel, 1 Nëntor 2026

Nxënësit e shkollës “Sami Frashëri”, Tiranë, vizitojnë grupet e NanoAlb në Fakultetin e Shkencave të Natyrës

TIRANË, 19 prill /ATSH/ Nxënësit e shkollës së mesme “Sami Frashëri” në kryeqytet zhvilluan një vizitë në disa nga grupet e NanoAlb në Fakultetin e Shkencave të Natyrës.

Akademia e Shkencave të Shqipëri bëri me dije se nxënësit patën mundësinë të njihen nga afër me ambientet e NanoAlb.

Gjatë vizitave, ata u njohën me laboratorët e kërkimit shkencor në fushën e nanoteknologjisë, me aparaturat dhe infrastrukturën përkatëse, si dhe me mënyrën e përdorimit të tyre në kërkimin shkencor. Nxënësit u njohën gjithashtu me procedura të thjeshta demonstrimi dhe me rezultate konkrete të punës kërkimore, duke kuptuar më mirë rëndësinë praktike të saj.

AShSh njoftoi se vizitat u zhvilluan në disa laboratorë të specializuar, duke promovuar kërkimin shkencor në fushat e shkencave natyrore dhe ato multidisiplinare, si nanoshkenca dhe nanoteknologjia.

Sipas AShSh-së, në këto takime u trajtuan çështje të rëndësishme, si orientimi i nxënësve drejt këtyre studimeve, roli i kërkimit shkencor në ndërtimin e karrierës profesionale, si dhe mundësitë që ofrojnë projektet kërkimore të financuara nga buxheti i shtetit, universitetet dhe fondet evropiane.


/e.i/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›