E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nxënësit me aftësi të kufizuara, në një ekspozitë

Muzeu Kombëtar Paraqesin punimet e tyre në një ekspozitë

Një ekspozitë e veçantë hapet sot, ora 11.00 në Muzeun Historik Kombëtar. Nuk janë profesionistë, por nxënësit e shkollës speciale me aftësi të kufizuara “Luigj Gurakuqi”, Tiranë. Nën kujdesin e mësueseve, nxënës nga 8 deri në 19 vjeç janë shprehur përmes materialeve natyrore(letra, fara, makarona, oriz, qëndisje). Diku sheh një portret të Nënë Terezës, më tutje një pëllumb, një kukull me veshje arbëreshe, vazo me lule apo instilacione të ndryshme që u ka diktuar fantazia e tyre. Janë punime të realizuara gjatë dy-tri viteve të fundit e të ekspozuara më parë në ambientet e shkollës. “Këto punime janë bërë nën drejtimin e mësueseve të përkushtuara, të cilat ngacmojnë gjithnjë pjesën e ndjeshme të këtyre fëmijëve për të nxjerrë atë që duan të shprehin duke bërë të dukshme shumë ndjenja të fshehura të këtyre fëmijëve të veçantë, për t’i bërë ata të ndihen të barabartë me të tjerët”, shprehet Valbona, një prej mësueseve të kësaj shkolle. Në fakt, ekspozita që do të qëndrojë e hapur për disa ditë, i kushtohet 7-8 marsit, por realizimi i saj erdhi më përpara për shkak të kalendarit të aktiviteteve të muzeut.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›