Enver Petrovci si regjisor në Tiranë
I konfirmuar në Kosovë si aktor karriere, Enver Petrovci ka qenë i pranishëm për publikun shqiptar vetëm vitet e fundit. E kemi parë të angazhuar në disa shfaqje teatrale, por edhe në role filmike. Tashmë vjen në Tiranë si regjisor. Do të prezantohet me dramaturgun e njohur francez, Andre-Pol Antoan (1892-1982) dhe veprën e tij dramatike “Sonte jam vetëm”. Një shfaqje që është testuar vitin e shkuar në publikun kosovar dhe në dy skena të ndryshme: në Teatrin e Babës dhe në teatrin “Dodona”. Për interpretim ka zgjedhur dy aktorë të rinj si Niada Saliasi dhe Ilir Tafa. Pjesa do të vijë në datat 20, 21, 27 dhe 28 shkurt, ora 20.00 në Teatrin e Metropolit. Në rolet e para në Shqipëri, Petrovci qe shprehur vazhdimisht se i kishte munguar vlerësimi për punën që bënte. Ndërsa në prag të mbylljes së 2009-ës, mediat kosovare shkruan mbi deklaratën e tij për t’u larguar nga Prishtina e për t’u shpërngulur në Tiranë. Në planet e tij ishte Teatri Kombëtar dhe angazhime të tjera. Më tej nuk u fol asgjë. Pas pak ditësh do të jetë në prapaskenë. “Sonte jam vetëm” është një dramë për jetën dhe vetminë. Një dramë që e merr fillin në jetën e një çifti, ajo një aktore 26-vjeçare dhe ai një mjek psikiatër, dy personazhe që në fakt tipizojnë vetminë kolektive të shoqërisë. Ajo është e pakënaqur me të shoqin, e denoncon dhe e çon pas hekurave të burgut. Por nata është e gjatë... në këtë pikë, Antoan, i njohur si dramaturg, skenarist, por edhe regjisor tenton qasjen e tij artistike. Petrovci nuk ka zgjedhur “të dirigjojë” shumë personazhe në skenë, ata janë vetëm dy, por mbartin në vetvete një sërë kompleksesh të natyrës njerëzore. Personazhet pranojnë të bëhen pjesë e një amullie veprimesh, thjesht sa për të bërë diçka, sa për të mos iu dorëzuar vetmisë dhe sfidës së saj. “Duke dashur që këtë shfaqje ta shikoj pikërisht nga pozicioni i kritikut elitar, por pa i këputur rrënjët me rrafshin jetësor të cilit i dedikohet një vepër e artit, më duhet të konstatoj se shfaqja “Sonte jam vetëm” duhet shikuar si një stisje mjeshtërore në të gjitha disiplinat që një shfaqje e bëjnë me vlerë. Pas shfaqjes e ndjeva veten të skuqur për paragjykimin që kisha pasur për punën e Enver Petrovcit si regjisor. Enverin e njihja si aktor të mrekullueshëm, ai me mua i kishte bërë filmat e tij të parë dhe që nga ajo kohë e njihja si një të dëshmuar se artit i përkushtohet me tërë fuqinë e tij të madhe të talentit. Dritëhijet e tij në interpretim ai tani i kishte shpalosur edhe në regji. Ishte vështirë të dalloheshin lidhjet ndërmjet dramës dhe komedisë. Ato ishin të ndërlidhura ndërmjet tyre në të njëjtën mënyrë siç janë të ndërlidhura në vetë jetën tonë. Duke e shikuar këtë udhëheqje të aktorëve, që e pushtonin skenën jo vetëm me lëvizje të qëlluara jetësore, por edhe me figura që mund të krahasohen me një koreografi të pahetueshme, tek unë sikur ngjalleshin imazhet e filmave të Charlie Chaplin-it “Gold fiver” (Ethet e arit), dhe “The kid” (Vocërraku)”, shkruante pas shfaqjes në shtypin kosovar dramaturgu Ekrem Kryeziu. Pjesa që do të shfaqet në Teatrin e Metropolit do të jetë edhe një mundësi për të parë se si qëndron Enver Petrovci aktor në rolin e regjisorit.
#