E drejta e vetëvendosjes: Rasti i Kosovës në MTKRS
Me rastin e 2-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës se Kosovës u promovua libri "E drejta e vetëvendosjes: Rasti i Kosovës" i autorit Enver Bytyçi. “Kur nisa të shkruaj këtë libër dhe kur e përfundova atë, pavarësia e Kosovës nuk kishte mbërritur. Por më vjen mirë që shumë parashikime të hedhura në këtë libër kanë rezultuar si alternativë e zgjidhjes”, ka thënë Bytyçi. Për autorin, shkrimi i këtij libri, ishte një mision për ta rrënuar sa të ishte e mundur hipokrizinë, një përpjekje për të shkuar tek e vërteta. “Makineria propagandistike e Serbisë na kishte faturuar ne shqiptarëve antivlerat dhe anticivilizimin. Fatkeqësia e të qenit emigrant politik në Gjermani më dha shansin të bija në kontakt me këtë lloj diversioni shovinist, e më pas të hidhja në libër diçka serioze për të ngritur vlerat e shqiptarëve mbi antivlerat, të cilat i kishin servirur shkenca, akademia, kisha dhe shteti serb, pra, të vërtetën mbi trillin, realitetin mbi falsitetin”, shtoi më tej ai. ndërkaq, ministri Ferdinand Xhaferaj tha se ky libër është një përmbledhje interesante në fushën e studimeve për këtë temë. “Dua të theksoj se pavarësia e Kosovës si akt, si proces, si përvojë historike unikale ka dimensione shumë më të mëdha. Siç përshkruhet dhe në libër, pavarësia e Kosovës ka kushtuar për ne shqiptarët shumë sakrifica. Rrallë popull e ka paguar lirinë e tij me çmimin që kanë paguar shqiptarët e Kosovës. Dhe rrallë komb i ka rezistuar me aq vitalitet kërcënimit asgjësues, sa shqiptarët e Kosovës”, tha ai.
#