E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nxënësit në panik për marrjen e vaksinës në shkollë

24/02/2010 Higjiena, nxënësit janë keqinformuar sepse vaksina ishte kundër hepatitit b, e jo AH1N1-shit

Fushata e vaksinimit kundër Hepatitit B ka mbërthyer në gjendje paniku nxënësit e Shkollës Teknologjike në kryeqytet. Shkak për këtë është bërë keqinterpretimi i informacionit se nxënësit do të vaksinoheshin kundër virusit të gripit të derrave. Shumë prej këtyre nxënësve nuk i janë nënshtruar vaksinimit, ndonëse pohohet se ishin lajmëruar ditë më parë në lidhje me këtë fushatë. Fatkeqësisht, edhe vetë stafi i personelit të shkollës ka pohuar, ndonëse të gabuar, kryerjen e kësaj vaksine për nxënësit e viteve të para, të dyta dhe të treta. Megjithatë ky fakt është hedhur poshtë nga specialistë të Drejtorisë së Higjienës në kryeqytet, të cilët kanë deklaruar se kjo gjë nuk është e vërtetë. Sipas tyre, fushata e vaksinimit nuk ka të bëjë me gripin e derrave, por me vaksinën kundër Hepatitit B, dhe se nxënësit ishin keqinformuar. Konkretisht, fushata e ndërmarrë në shkolla përcakton që të gjithë adoleshentët e lindur në vitet 1992, 1993, si dhe në 4-mujorin e parë të 1994-ës, duhet t’i nënshtrohen vaksinimit kundër Hepatiti viral B.

Vaksina

Sipas mjekëve specialistë, pohohet se marrja e kësaj vaksine është një domosdoshmëri për këtë kategori nxënësish, pasi i mbron nga një sërë infeksionesh virale, të cilat mund të bëhen shkak për një sërë sëmundjesh të rënda. Rimbursimi i vaksinës bëhet vetëm për nxënësit e lindur në vitet e përmendura pak më lart. Ndërsa kategoritë e tjera, që nuk e kanë marrë këtë vaksinë, duhet ta përfitojnë në mënyrë private e kjo kushton rreth 80 euro. Pas evidentimit të nxënësve që nuk e kanë marrë këtë vaksinë në vitet e përmendura më lart, Instituti i Shëndetit Publik ka shpërndarë në të gjitha qendrat shëndetësore dhe drejtoritë e rretheve vaksinat, shiringa dhe kutitë e sigurisë për kryerjen e vaksinimit. Ndërkohë që fushata është kryer edhe në shkolla, ku stafet mjekësore kanë aplikuar bërjen e vaksinës me dëshirë për të gjithë nxënësit që nuk e kanë marrë më parë.

Përhapja

Duke përjashtuar këtë kategori, në 1994-ën mori rrugë ligjore vaksinimi i detyrueshëm i fëmijëve të porsalindur, një strategji e konsideruar e suksesshme për luftën kundër Hepatitit B, prevalenca e të cilit në vendin tonë llogarit 9 për qind të të prekurve. Rrugët kryesore për tejçimin e virusit të Hepatitit B janë nëpërmjet gjakut të infektuar e kontaktit seksual. Po ashtu ka edhe shkaqe të tjera të hepatiteve, si lëndët kimike toksike, disa ilaçe p.sh izoniazidi (ilaç tuberkulozi), alkooli, disa mikrobe bakteriale etj. Shpesh në popull hepatiti quhet dhe verdhëz, por ajo nuk është një lloj sëmundjeje, por shenjë. Krahas masave të tjera, specialistët rekomandojnë kontroll të rreptë dhe zbatimin e normave higjieno-sanitare, veçanërisht të ujit, ushqimeve, nyjeve higjieno-sanitare etj., sidomos për parandalimin e infeksionit nga Hepatiti A dhe E, që ka si kusht transmetimi nivelin e ulët higjieno-sanitar.

Fushata

Fushata e ndërmarrë në shkolla përcakton që të gjithë adoleshentët e lindur në vitet 1992, 1993, si dhe në 4-mujorin e parë të 1994-ës, duhet t’i nënshtrohen vaksinimit kundër Hepatiti viral B. Fëmijët e lindur nga muaji maj i vitit 1994 e në vijim, bazuar në kalendarin kombëtar të vaksinimit, e kanë marrë tashmë vaksinën mbrojtëse kundër Hepatitit viral B. Por në të gjitha rastet kur ky vaksinim nuk ka ndodhur, do të lejohet marrja e vaksinës.

Komplikacionet

Hepatiti B është një sëmundje që sjell shqetësime të rënda për organizmin. Virusi i Hepatitit B mund të shkaktojë një sëmundje të rëndë në pak kohë, që sjell humbje të oreksit, dhimbje muskulore, kyçesh e dhimbje stomaku, heqje barku e të vjella, lëkura merr ngjyrë të verdhë e ndihet lodhje. Ky hepatit mund të shkaktojë një sëmundje kronike (për një kohë të gjatë) që sjell dëme në mëlçi, kancer në mëlçi, si dhe vdekje.

Kategoritë

Marrja e vaksinës duhet të bëhet nga të gjithë fëmijët e sapolindur e adoleshentët e pavaksinuar (për të cilët ekziston ligji me detyrim). Po ashtu, vaksina duhet të merret edhe nga të rriturit në rrezik nga Hepatiti B, ku përfshihen personat që kanë më shumë se 1 partner seksual, burrat që kryejnë raport seksual me burra, të droguarit, personeli sanitar dhe persona të tjerë që janë të ekspozuar ndaj gjakut apo lëngjeve organike të infektuar.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›