E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nxënësit përurojnë librin “Shkrimet tona”

Në përmbyllje të klasës së pestë nxënësit dhe arsimtarët e shkollës fillore “Hasan Prishtina”, kanë përuruar librin me poezi me titull “Shkrimet tona”, ku nxënësit kanë shkruar poezi me tema të ndryshme, kryesisht nënës, e mësueses por janë edhe disa të tjera ku nxënësit kanë shprehur idetë e tyre se si e shohin Kosovën në të ardhmen.

Njëra nga nënat që ka bashkëpunuar me mësuesen e klasës e pesta 6, Hanife Fazliu ka thënë për KosovaPress se është një libër ku janë përmbledhë të gjitha poezitë dhe vizatimet e nxënësve të kësaj klase.

“Unë kam pas një bashkëpunim me mësuesen. Kam arrit ta lexojë këtë libër. E kam parë që janë tema shumë të mira për moshën që e kanë këta fëmijë”, ka thënë Fazliu.

Ndërsa, njëri nga nxënësit e kësaj klase, i cili ka shkruar poezinë “Dua”, dhe i cili morri pjesë me një recitim në programin e organizuar, Edonis Bytyçi ka thënë për KosovaPress se falënderon mësuesen e tij, e cila ia ka mësuar 36 germat dhe se libri është produkti i parë që po e japin së bashku me mësuesen.

“Sot për mua është një ditë e veçantë sepse ne kemi bërë promovimin e librit”, ka thënë Bytyçi.

Kurse, mësuesja Merita Popova, ka thënë për KosovaPress se ka dashur që talentin dhe përgatitjen e këtyre nxënësve ta nxjerr në një libër.

“Unë i kam parë qysh në klasën e dytë fillore që këta kanë prirje për poezi, mandej na erdhi një projekt që e kemi pas gjitha klasët e pesta, Kosova Contest. E kemi fituar dhe kemi filluar me punën në ndërtimin e librit. Besojë që për nxënësit ka me qenë një shtytje edhe e mëtutjeshme për shkrime”, ka thënë Popova.

Ajo ka shtuar se përveç dy eseve, i gjithë libri me 86 faqe ka poezi të fëmijëve ku kanë shkruar për diellin, nënën, mësuesen dhe një poezi e veçantë është ajo me titull “Mendja ime”, ku nxënësit kanë shprehur idetë e tyre si e shohin Kosovën në të ardhmen.

Ndryshe, poezitë e shkruara, i lexuan edhe në një program të organizuar për fund vit, kurse donatorë të këtij libri janë prindërit, Universiteti AAB dhe Kosovision Contest.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›