Nxënësja franceze e Papavramit në “Takimet muzikore mes dy botëve”
Për tri net me radhë në qytetin e Gjirokastrës është organizuar edicioni i 5-të i Festivalit Ndërkombëtar “Takimet muzikore të dy botëve”. Ky festival me përmasa ndërkombëtare realizohet nga shoqata “Argjiro”, nën patronazhin e kryeministrit Sali Berisha. Për tri net me radhë në skenën artistike të festivalit, të vendosur në kështjellën e Gjirokastrës, kanë performuar instrumentistë, këngëtarë etj. të muzikës klasike dhe asaj tradicionale. si nga Shqipëria ashtu edhe nga vende të ndryshme të botës. Natën e parë të festivalit e ka çelur koncerti i orkestrës italiane “Camerata dei Laghi”. me pjesëmarrjen edhe të sopranos shqiptare Eva Golemi. Në natën e dytë të festivalit janë ngjitur në skenë grupi i këngës tradicionale nga Rumania, “Aromani Farseroti”. Ndërkohë që mbrëmjen e fundit siparin e organizimit të festivalit e ka ulur grupi i këngës isopolifonike “Bilbilenjtë e Progonatit” dhe koncert Duo Skupi, Maqedoni, me pjesëmarrjen e flautistes Jeta Starova dhe violinistit Ermal Mehmeti. Në një nga netët e festivalit ndërkombëtar “Takimet muzikore të dy botëve” ka ekzekutuar për artdashësit edhe trioja instrumentale nga Franca “Le trio thais”, e përbërë nga Angelique Charlopain (violinë), Jonathan Grimbert-Barre (violonçel) dhe Tristan Plaff (piano). Kjo trio është një formacion i ri i muzikës së dhomës, e përbërë nga talente të rinj, të cilët kanë tashmë një karrierë në Francë dhe në nivel ndërkombëtar. Pjesë e saj është edhe violinistja Angelique Charlopain, e cila ka qenë nxënëse e muzikantit shqiptar Robert Papavrami. Në intervistën e mëposhtme instrumentistja franceze shpreh mbresat dhe emocionet e pjesëmarrjes në festival.
Angelique, ju thatë se keni patur mësues muzikantin shqiptar Robert Papavrami. Kjo ka qenë shtysa për të marrë pjesë në këtë festival?
Nxitjen për pjesëmarrjen në edicionin e 5-të të festivalit ndërkombëtar “Takimet muzikore të dy botëve” e kam patur nga Jolanda Papavrami, e cila me sugjeroi të isha pjesëmarrëse në këtë organizim. Nga profesori im Robert Papavrami kam marrë njohuri edhe për muzikën klasike shqiptare. Gjatë koncertit tonë këtu në Gjirokastër, së bashku me dy pjesëtarët e tjerë të trios instrumentale ekzekutuam për artdashësit edhe Koncertin 3 të kompozitorit shqiptar Pjetër Gaci.
A do të ktheheni sërish në skenën artistike të kështjellës së Argjiros?
Ashtu siç u shpreha edhe më parë, unë kam lidhje të veçanta me Shqipërinë dhe Gjirokastrën. Gjithmonë do të jem e gatshme për të qenë pjesëmarrëse në këtë festival.
Cilat janë përshtypjet e para që keni nga Shqipëria?
Për mua Shqipëria nuk është e panjohur. Unë jam njohur me vendin tuaj nëpërmjet profesorit tim Robert Papavrami. Gjithashtu ndihem e kënaqur që ndodhem në Gjirokastrën e gurtë, vendlindjen e shkrimtarit Ismail Kadre, të cilin edhe e kam njohur në Francë.