E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipërisë i mungojnë metodat moderne të gërmimit

Me qëllim krijimin e lidhjeve ndërkombëtare me organizma homologë evropianë, për të përthithur risitë teknologjike dhe shkencore në kërkimin dhe promovimin e vlerave tona arkeologjike, u mbajt dje në Tiranë mbledhja e radhës e Bordit Drejtues të Këshillit Europian të Arkeologjisë, e organizuar nga Agjencia e Shërbimit Arkeologjik, anëtare e këtij këshilli. Në takim morën pjesë personalitete të fushës së trashëgimisë sonë kulturore dhe asaj europiane. “Pavarësisht krijimit të saj, pak më shumë se tre vjet më parë, në maj të vitit 2008, Agjencia e Shërbimit Arkeologjik ka arritur me profesionalizëm dhe këmbëngulje të krijojë fizionominë e parashikuar për të gjatë hartimit të Ligjit për Trashëgiminë Kulturore. Përveç punës në terren, të lidhur ngushtë me përplasjen mes zhvillimit urban dhe trashëgimisë kulturore, duke zhdukur vakuumin e dikurshëm institucional në mbrojtje të trashëgimisë kulturore dhe veçanërisht asaj arkeologjike gjatë proceseve ndërtimore të të gjitha llojeve, ASHA ka mundur të krijojë edhe profilin tjetër; profilin e një institucioni përgjegjës për trashëgiminë kulturore në krijimin e lidhjeve ndërkombëtare me organizma homologë europianë, për të përthithur risitë teknologjike dhe shkencore dhe për të promovuar potencialet kulturore dhe njerëzore në këtë fushë”, tha zv.ministrja e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Suzana Turku, në këtë takim. Anëtarësimi i Shqipërisë në këtë institucion të rëndësishëm europian është një hapësirë për të promovuar vlerat e paçmuara të pasurisë sonë arkeologjike. “Ne do të shkëmbejmë eksperienca në sektorin e ruajtjes së objekteve të trashëgimisë dhe arkeologjisë. Me aq sa kemi parë, niveli është i mirë, por i duhet kushtuar rëndësi edhe metodave moderne të gërmimit dhe survejimit” –tha Katalin Wollak, drejtore e EAC. Ndërsa, sipas drejtorit të Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik, Roland Olli: “Anëtarësimi në një institucion të nivelit të lartë profesional si EAC synon përmirësimin e aktivitetit të ASHA në vend dhe rritjen e nivelit profesional të ekspertëve arkeologë, duke qenë aktivë dhe pjesëmarrës në aktivitetet e Bordit, seminaret si dhe trajnimet e organizuara nga Grupet e Punës së këtij institucioni. Po ashtu, anëtarësimi gjen mbështetje të plotë edhe me politikat integruese të ndjekura nga Qeveria Shqiptare”. Këshilli Europian i Arkeologjisë (EAC) është një rrjet demokratik organizatash, që janë ligjërisht përgjegjëse për menaxhimin e trashëgimisë në vendet respektive. Anëtarësimi në këtë Këshill është i hapur për të gjitha organet kombëtare të ngarkuara me menaxhimin e trashëgimisë arkeologjike në të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Europës. Misioni kryesor i EAC është të mbështesë menaxhimin e trashëgimisë arkeologjike në Europë, t’u shërbejë nevojave të agjencive që janë të përfshira në menaxhimin e trashëgimisë kombëtare arkeologjike, të vendosë bashkëpunime të ngushta institucionale dhe të shkëmbejë informacion midis institucioneve europiane etj. EAC ka aktualisht gjashtë Grupe Pune: Arkeologjia Ajrore, Trashëgimia Nën-ujore, Monumente të Luftës së Ftohtë, Agro-Mjedisi, Gërmime në Shkallë të Mëdha dhe Arkiva. Ndërkohë që Agjencia e Shërbimit Arkeologjik është krijuar tre vite më parë dhe është i vetmi autoritet i cili kontrollon gërmimet arkeologjike në territorin shqiptar. Një nga kompetencat kryesore të saj është edhe parandalimi i shkeljeve.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›