Nxjerrja e TVSH-së nga greva, PD-ja dënon aktin e Ramës
PD-ja ftoi dje mediat të ngrenë zërin e protestës ndaj qëndrimit të paprecedentë të kryesocialistit Edi Rama për nxjerrjen me forcë të gazetarit të TVSH-së nga greva e PS-së, duke e cilësuar si një rrezik i madh për të sotmen dhe të ardhmen e tyre. Përmes zëdhënëses Erla Mëhilli, PD-ja dënoi ashpër këtë veprim të z. Rama, ndërsa kujtoi: Badigardët e Partisë Socialiste, në nderim të Ditës Ndërkombëtare të Lirisë së Mediave, keqtrajtuan dhe nxorën me forcë jashtë konferencës së tyre për shtyp gazetarin e Radiotelevizionit Publik Shqiptar, si një dëshmi e qëndrimit brutal ndaj mediave që u thonë qytetarëve të vërtetën. Sipas saj, hakmarrja primitive e Edi Ramës ndaj Radiotelevizionit Publik Kombëtar, për fajin e vetëm se ky i fundit ka sjellë në ekranin dhe valët e tij zërin e protestës së qytetarëve të Tiranës për vuajtjen që zoti Rama u shkakton atyre me bllokimin e trafikut çdo ditë, dëshmon faktin që Edvin Kristaq Rama është një armik i egër i lirisë së shtypit dhe një rrezik i madh për të drejtën e informimit.