E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria përcakton masën e rritjes së pagave e pensioneve

Berisha: Fondi i rritjes, nga shitja e makinave të zyrtarëve

Qeveria rrit pagat dhe pensionet falë lëvizjes financiare të kursimit të parave nga heqja e makinave të zyrtarëve të administratës së shtetit. Kryeministri Sali Berisha rikonfirmoi dje se qeveria do të procedojë me rritjen e pagave dhe pensioneve. Sipas tij, kjo bëhet e mundur falë një disipline të fortë të përdorimit të buxhetit dhe reformës më të fundit të qeverisë, uljen e shpenzimeve nga heqja e automjeteve të mbi 3 mijë zyrtarëve. Kryeministri Sali Berisha kërkoi dje në mënyrë urgjente përcaktimin e rritjes së rrogave dhe pensioneve. Pa humbur kohë nga puna, të përcaktohen rritjet, siç janë parashikuar. Rritje më të mëdha do të pësojnë rrogat e ulëta dhe pensionet e ulëta. Rritja më e vogël do të jetë për rrogat e larta. Pagat e zyrtarëve më të lartë do të rriten aq sa është inflacioni ose 1 për qind më shumë, pasi ky është rregulli, - deklaroi z. Berisha.

Kryeministri përmendi në mbledhjen e Këshillit të Ministrave se ky është një vit, në të cilin, realisht, tregjet financiare evropiane janë në gjendjen më të vështirë, në një panik të vërtetë, siç edhe ndiqet nga lajmet. Por, - shtoi ai, - qeveria është e vendosur me një disiplinë të fortë të përdorimit të buxhetit. Ne kemi ngrirë si qeveri, si administratë, 20 për qind të buxhetit që dërguam në Parlament, përveçse për institucionet e pavarura, të cilave nuk u është ngrirë asnjë qindarkë, në rast se ecim në këtë mënyrë, por në rast se na imponohet, edhe mund të detyrohemi. Deri tani, në vendimin tonë, institucionet e pavarura janë përjashtuar nga ngrirja e buxhetit, të cilin e kanë siç është votuar në Parlament. Ndërsa të gjitha ministritë, agjencitë e varura prej tyre, e kanë minus 20 për qind, nga buxheti që është votuar. Dhe kjo do të mbahet, - theksoi z. Berisha. Kreu i qeverisë vuri në dukje se një lehtësim dhe mundësi shumë e madhe ka qenë heqja e veturave për zyrtarët. Për këtë Berisha u kujtoi gazetarëve: Ajo që kaloi pa u shënuar nga mediat si një reformë epokale, në fakt ishte një vendim që ngroh xhepin e 820 mijë familjeve shqiptare. Në qoftë se nuk do ti jepnim përgjigje ligjore një abuzimi të papranueshëm, kur me karburantin që harxhohej, një shofer i kushtonte vendit sa një ministër, mbi 19.500 dollarë në vit, pra, kjo rrudhje e madhe që bëmë nga rreth 3000 shoferë në 31, bëri të mundur të kursehet pothuaj i tërë fondi i rritjes së rrogave dhe pensioneve. Sikundër ndaj të gjithë këtyre zyrtarëve u vendos një bonus në kompensim dhe vlerësim të kontributit të tyre. Kjo reformë, sipas Berishës, ishte përcaktuese në mundësinë e kësaj qeverie për të vendosur rritje të re, të madhe të rrogave dhe pensioneve edhe në vitin 2010.

Qeveria, bonuse për gjyqtarët e Apelit dhe Faktit

Me bindjen se praktika e rritjes së pagave është faktuar jashtëzakonisht pozitive për mbarë shoqërinë dhe në një kohë të shkurtër, Kryeministri Sali Berisha vuri në dukje se u arrit të ngushtohet diferenca midis pagës mesatare dhe asaj maksimale, nga 12 në 6 herë. Por Kryeministri vuri në dukje edhe efektin qartësisht negativ që kjo ka pasur në sistemin e drejtësisë, duke i kërkuar ministrit të Drejtësisë të përcaktojë me kryetaren e Gjykatës së Lartë rrugët për bonuse për gjyqtarët e Gjykatës së Faktit dhe të Apelit, për të zvogëluar diferencën me pagat e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Për arsye se ligji i organizimit të drejtësisë, - tha Kryeministri, - përcakton qartë se pagat e gjyqtarëve të Apelit janë një përqindje e pagës së Gjykatës së Lartë dhe paga e gjykatësit të Faktit është një përqindje fikse, e përcaktuar në ligj, e pagës së gjykatësit të Lartë. Por, - shtoi ai, - në rast se ne kemi rritur të gjitha pagat e ulëta dhe kemi dyfishuar pagat mesatare, kjo nuk ka ndodhur me gjykatësit e Faktit dhe të Apelit. Berisha vuri në dukje se ligjin nuk e ndryshojmë dot, pasi ligji është standardi. Në këtë rast Kryeministri i kërkoi ministrit të Drejtësisë, Bujar Nishani, që të diskutojë me kryetaren e Gjykatës së Lartë, me të cilën duhet të përcaktojë rrugët për bonuse për gjykatësit e Faktit dhe të Apelit. Faktikisht, ata janë dëmtuar nga ligji në këtë rritje pagash, për arsye se pagat e gjykatësve të Lartë barazohen me ato të ministrave. Paga e tyre është rritur me 3-4 për qind, por e kanë pësuar ata që pagën e kanë përqindje të pagës së tyre. Ndaj është e domosdoshme që këta gjyqtarë të kenë një bonus, që të përcaktohet nga vetë zyra e buxhetit të sistemit të drejtësisë, ku kryetarja e Gjykatës së Lartë është edhe kryetare e buxhetit. Të përcaktohet mënyra e lëvrimit të një bonusi për të gjithë gjyqtarët e të gjitha gjykatave të Faktit dhe të Apelit. Gjyqtarët e lartë do ta kenë rritjen me këtë sistem. Në një aspekt, ai ligj është i tejkaluar, sepse ne kemi dyfishuar pagat e arsimtarëve, mjekëve, të infermierëve dhe në fakt, po të shohim mënyrën si janë rritur pagat e gjykatësve, është e papranueshme. Ndaj, zoti ministër, të diskutoni e të bini dakord dhe ne do ti qëndrojmë plotësisht. Ne kemi rreth 360 gjykatës dhe duhet që ata të dalin nga pasojat e këtij sistemi, që është i drejtë dhe i ndershëm, por nuk do të pranojmë diferencë të madhe midis pagave të mesme dhe atyre të larta, në vend. 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›