PS pas kritikës së Brukselit, organizon tubim për Evropën
Rama: Më 9 maj jemi këtu për Evropën
Socialistët kanë menduar të organizojnë një miting të madh më 9 maj, pikërisht Ditën e Evropës. Një mënyrë kjo e zgjedhur për të treguar proevropianizmin e kësaj partie, edhe pse nga Evropa ka marrë kritika pa fund për politikën e rrugës. Vetëm disa ditë pasi komisioneri për Zgjerim, Stefan Fule, i tha me nota të forta kritike kryesocialistit Edi Rama se ka përgjegjësi morale për shëndetin e grevistëve, PS kërkon mirëkuptim nga ndërkombëtarët. E gjendur pa mbështetje të huaj në nismën e ndërmarrë, duke futur 20 deputetë në grevë urie, opozita po kërkon të ndryshojë opinionin e të huajve për kauzën e saj. Me anë të një letre firmosur nga grevistët e urisë, PS u shpjegon ambasadorëve perëndimorë në vendin tonë arsyet e ndërmarrjes së këtij vendimi radikal. Ndërkohë, greva hyn sot në ditën e shtatë dhe gjatë ditës së djeshme nuk ka pasur ndonjë përkeqësim shëndeti që ka kërkuar ndërhyrjen e ambulancave. Për të kompensuar protestën që ish-të përndjekurit politikë bënë dy ditë më parë para selisë rozë, në krah të Ramës dje ka qenë Kurt Kola, një nga ish-të përndjekurit politikë, që ka dhe një shoqatë. Ndërsa dy deputetët që ishin në delegacionin e Parlamentit shqiptar në Parlamentin Evropian, Taulant Balla dhe Arben Malaj, iu rikthyen grevës së urisë.
Rama
Të dielën në 9 maj në orën 10:00 të gjithë qytetarët janë të ftuar të vijnë këtu për të dëshmuar se ne jemi këtu për Evropën. Jemi këtu për liri e të drejta që janë në themelin e Bashkimit Evropian dhe për të cilat Evropa ka luftuar me të gjitha format me shekuj e dekada. Në 9 maj duhet të jemi këtu edhe për ditën e madhe evropiane dhe botërore të triumfit mbi fashizmin, mbi të keqen e madhe që kapitulloi në vitin 1945, - tha Rama në tubimin e djeshëm që u mbajt me protestues të ardhur nga qarku i Beratit. Më tej Rama theksoi bindjen e opozitës se asnjë vendim gjykate nuk pengon transparencën dhe hapjen e kutive, sikundër pretendon mazhoranca. Nuk ka vendim gjykate që pengon transparencën, nuk ka Kushtetutë që pengon transparencën e kutive. Transparencën e kutive e pengon vetëm pushteti që mban në kuti armën që vrau zgjedhjet e shkuara dhe kërkon të vrasë edhe zgjedhjet e ardhshme për të mbajtur peng të ardhmen tonë, - u shpreh Rama. Kryesocialisti i ka bërë sërish apel Kryeministrit Berisha të lejojë hapjen e kutive të votimit, duke nënvizuar se opozita nuk kërkon marrjen e pushtetit në tavolinë, por kërkon tu japë fund njëherë e përgjithmonë zgjedhjeve të manipuluara. Hap kutitë Sali Berisha, nuk duam të dorëzosh në tavolinë pushtetin, por të dorëzosh armën me të cilën vrave zgjedhjet, - u shpreh kreu i opozitës. Rama i konsideroi manifestime fashiste, protestat e organizuara nga mazhoranca. Vetëm në regjimet pa demokraci, pa liri e të drejta, mund të merren individët e të kthehen në truma, të kthehen në lista ku firmosin para dhe pas. Është e habitshme se si kjo mendësi fashiste apo komuniste është e pandalshme në mënyrën e funksionimit të saj edhe kur rrezikon të dalë kaq zbuluar, kaq paturpësisht zbuluar para syve të popullit që kërkon të gënjejë, - tha kryesocialisti.