O. Marseja kërkon Igli Taren

Igli Tare mund të veshë fanellën e Olimpik Marsejës për sezonin e ri. Lajmi ka zënë faqet e para të gazetave provinciale të Marsejës dhe është publikuar edhe në faqen e internetit www.futboll.fr. Sipas këtyre të fundit sulmuesi shqiptar i Lacios është kontaktuar së fundmi nga drejtuesit e klubit të Olimpik Marsejës, të cilët i kanë ofruar një kontratë dyvjecare.
Cdo gjë varet nga vetë futbollisti, pasi Lacio ka shprehur prej kohësh dëshirën për ta shitur tek një ekip tjetër, duke parë se Tare nuk hyn në planet e trajnerit Delio Rosi. Një gjë të tillë dy ditë më parë për mediat italiane e ka konfirmuar edhe presidenti i Lacios, Klaudio Lotito. Për të sjellë në Marsejë Igli Taren, drejtuesit e këtij klubi kanë shfrytëzuar edhe miqësinë e këtij të fundit me mesfushorin Lorik Cana. Në fakt kosovari është një prej shokëve më të mirë të Tares edhe në kombëtaren shqiptare. Një fakt të tillë e ka konfirmuar vetëm Igli në një intervistë muaj më parë për gazetën "Tirana Observer", si dhe Cana teksa kritikonte teknikun Oto Baric para ndeshjes me Luksemburgun në Tiranë për lënien jashtë ekipit kombëtar të shtatlartit të Lacios. Sipas mediave franceze, Tare është sulmuesi ideal për Marsejën, duke parë se në repartin ofensiv mungon një futbollist shtatlartë që të mund të zëvendësojë edhe Dzhibril Sisenë. Duke parë moshën e sulmuesit shqiptar, 34 vjec, drejtuesit marsejezë i kanë ofruar një kontratë 2-vjecare, por me një ulje të vogël të rrogës që ai merr aktualisht tek Lacio. Tare përfiton 450 mijë euro në sezon tek kryeqytetasit italianë dhe kontrata e tij përfundon më 30 qershor të 2008-ës. Gjatë kësaj merkatoje verore, Tare është kërkuar edhe nga disa skuadra italiane si Rexhina, Torino, Empoli, si dhe dy ekipe të Primera Division, Sevilja dhe Majorka. Tratativat nuk kanë shkuar drejt firmës, pasi në të shumtën e rasteve oferta financiare kundrejt biondit shqiptar rezultonte e ulët. Kështu deri në ditët e fundit Tare ka konfirmuar se do të qëndrojë sërish tek Lacio deri në fund të kontratës së tij.
RASTI Beqaj u testua nga Marseja, por dështoi
Arjan Beqaj ishte një hap larg nënshkrimit të një kontrate me Olimpikun e Marsejës muajin e kaluar, por në fund ai u detyrua të kthehej sërish në Qipro. Beqaj ishte në provë tek skuadra e Marsejës i sugjeruar nga bashkatdhetari, futbollist i kësaj skuadre, Lorik Cana. Portieri kuqezi zhvilloi disa seanca stërvitore dhe një ndeshje miqësore, por nuk mundi të bindë trajnerin e kësaj skuadre, Albert Emon.
TiranaObserver