O Zot i madh Mëshirona!
Ema Mema
-Është lutja që kryesisht këto kohë them shpesh,apo edhe dëgjoj nga shumë kush. E them shpesh për gjërat që po ndodhin,e them kur shikoj ç’rrugë ka marrë ky vend. E them kur shikoj seancat plenare,e them kur një familje s’ka të hajë e Kryeministri ynë thotë se kemi ngritje ekonomike. Apo kur zyrtarëve të lartë i shpallet pafajësia edhe pse provat janë në tryezat e kryeprokurorëve. Shpesh rreth vetes sime, asaj që unë jetoj, shoh një luftë akoma më të egër se ajo e xhunglës midis “kafshëve” me emrin NJERI,dhe kjo vetëm e vetëm për një post më shumë, për disa miliarda më shumë, për përdhunimin e radhës së moralit, humbjes apo vetë vdekjes. Çirret mazhoranca jonë e dashur se kemi luftuar korrupsionin, krimin e organizuar, mafien, por vallë si mund të luftohen të gjitha këto kur pjesë e këtyre krimeve, ryshfeteve, korrupsioni është vetë pjesa e anëtarëve të byrosë së saj? Këtu çdo gjë ndryshon...Do më pëlqente të dija kë korrupsion ka luftuar shteti ynë i dashur kur ministrat e lyer deri në fyt me “mëkat” lahen dhe u falen fajet si pas një pagëzimi. Apo kur një tjetër ministër shfrytëzon postin për trafik ndërkombëtar armësh dhe ende vazhdon të mbajë poste zyrtare. ǒkorrupsion ka luftuar shteti ynë kur nxjerr të pafajshëm më të fajshmit edhe se vetë djalli? ǒdrejtësi a institucion zyrtar të drejtësisë ka shpëtuar nga këto kthetra, të cilat me gjakun e të pafajshmëve vënë shëndet çdo ditë lyejnë duart e as që e kanë problem në këtë pikë...E me këtë drejtësi,që sipas të mëdhenjve udhëheqës kemi, hedhin hi në sytë e popullit të thjeshtë...Hedhin hi për të mos parë se nëse je duke vdekur duhet ta mendosh mirë vajtjen në spital pasi pa lekë s’të hedh njeri sytë apo që më e lehta që mund të kalosh është një infeksion pas spitalor që të kushton jetën... Duhet të matesh mirë e të bisedosh gjatë e shtruar me sëmundjen që ajo të fillojë të kurohet vetë,se nga rritja e madhe ekonomike lekët s’kemi ku t’i çojmë dhe sa t’i harxhojmë për shëndetin më mirë marrim një biletë vetëm vajtje për më të shtrenjtin destinacion PARAJSËN...Por që të arrijmë atje do na duhet të mendojmë e reflektojmë mbi gjërat që duhet të dimë. Por vallë si??? Si, kur në vendin tonë të dashur ka analfabet apo ku arsimin e drejtojnë disa sharlatanë që s’bëjnë gjë tjetër veçse kavjet “nxënës, student” i vënë në funksion të eksperimenteve të tyre...Apo se “miku” të ndihmon të marrësh shkollën e lartë dhe ti s’di se ku po shkon: te farmacisti apo veterineri, te mjeku apo te sadisti, te gjykatësi apo mashtruesi... Mëshirona o Zot!!! Mëshirona kur shohim se ky pushtet na gënjen për rritje ekonomike e ku papunësia çon te vjedhja, te grabitja, te vrasja...Ku në rrugë sheh një maniak që masturbohet dhe s’mund t’i kthesh fëmijës përgjigje pse ai është aty. Ku të përdhunojnë në mes të ditës e askush nuk gjykon fajtorin por viktimën. Kur pre e një rrjeti trafiku organesh ( që sipas të mëdhenjve janë luftuar apo më keq akoma janë zhdukur) dita ditës bëhen fëmijë të ndryshëm e të vegjël... Apo ku në dhoma motelesh një vajze të cilës i hedhin kokainë në pije,me plot kuptimin e fjalës e përdhunojnë 6 meshkuj...Ku ke sërish frikë të dalësh në rrugë se dikush mund të të bëjë gjëmën. Mëshirona kur kryeparlamentarja jonë na thotë të heshtim e të mbyllim gojën kur gjykata flet e na përmend familjarë të deputetëve të tjerë. Mëshirona kur nuk thuhet e vërteta dhe gjaku i njerëzve të thjesht e të pafajshëm të këtij vendi për të drejtën e tyre kthehet në ujë që vlen fare pak për të mos thënë aspak për qeveritarët tanë. Ku të thuash atë që ti mendon,atë që është e drejtë në kundërshtim me gabimet e qeverisë të bën të humbësh jetën. Shpesh më thonë që e shoh jetesën në Shqipëri vetëm bardh e zi, por si mund ta shoh ndryshe ku ka familje që s’kanë të hanë e të vishen. Si mund ta shoh ndryshe kur çdo ditë eci në rrugët e këtij qyteti, e këtij vendi dhe shoh vetëm përkeqësim,vetëm lot, dhimbje, vuajtje, papunësi, mos shkollim, mostrajtim mjekësor. Si mund ta shoh ndryshe kur njerëzit janë kthyer në kafshë që flasin dhe s’kanë një minimum të etikës dhe edukatës. Si mund ta shoh ndryshe kur shoh sa bukur aktrojnë ata që na qeverisin. Si mund ta shoh ndryshe kur vetë gjyqësori apo ligji i Kanunit zbatohet më mirë se drejtësia e të ashtuquajturave pushtete të pavarura? Si mund ta shoh me ngjyra një vend që më ofron vetëm grinë si ngjyrën e vetme dhe unike? Them se nuk mundem pasi thellë brenda sistemit tonë qeverisës ne jemi ende nën diktaturën komuniste,një diktaturë pak më e liberalizuar, por gjithsesi diktaturë kapitaliste. Jo vetëm ligji i xhunglës nuk bën punë por tashmë dhe banorët e xhunglës na kanë marrë inat pasi kemi më shumë famë se ata,në teatrin e bukur që luajmë çdo ditë para audiencës së Europës e ku fatet e njerëzve janë vetëm numra,shifra dhe emra... Asgjë më shumë se kaq... Thjesht emra që trondisin, lënë gjurmë e luten me zë të mekur.