E Diel, 1 Nëntor 2026

Homoseksualët: Votojmë partinë që na jep më shumë të drejta

Komuniteti homoseksualëve, lesbikeve, biseksualëve dhe transvestitëve do të votojnë në zgjedhjet lokale për atë parti politike që u premton më shumë të drejta. Ndonëse nuk ka shifra të sakta që tregojnë se sa për qind e popullsisë i përkasin komunitetit LGBT, një serë studimesh në SHBA dhe Europë tregojnë se ndërmjet 5-10% e popullsisë. Nga sa bëri dje me dije Ambasada PINK, është e drejtë themelore e çdo individi që kërkesat e tij të merren parasysh nga partitë politike në hartimin e politikave sociale që garantojnë një mjedis me mundësi të barabarta për këdo. Sipas zyrës LGBT PRO në Shqipëri, që punon për mbrojtjen dhe respektimin e plotë të të drejtave të komunitetit LGBT në vend, për herë të parë në historinë e Shqipërisë është përgatitur Manifesti për të Drejtat e Komunitetit LGBT. “Manifesti i të drejtave të komunitetit LGBT u drejtohet së pari të gjitha Partive Politike në Shqipëri për të përfshirë çështjen e respektimit të të drejtave të komunitetit në programet e çdo partie politike; për të adresuar shqetësimet dhe pritshmëritë që ky komunitet ka dhe që partitë politike apo edhe të zgjedhurit e ardhshëm vendorë duhet t’i kenë parasysh dhe të marrin masa për t’i plotësuar”, thuhet në deklaratën për mediat. Kërkesat e komunitetit LGBT në këtë manifest konsistojnë në rritjen e punësimit, në garantimin e shërbimeve sociale, në sigurimin e strehimit, marrjen e masave për eliminimin e diskriminimit dhe paragjykimit etj. “Ambasada Pink/LGBT PRO Shqipëri fton të gjitha partitë politike në vend, të gjithë kandidatët për këshilltarë apo kryetar bashkish e komunash, që t’i vlerësojnë seriozisht kërkesat dhe pritshmëritë e komunitetit LGBT, pasi pa respektuar këto të drejta askush nuk mund të pretendojë të marrë votën e tyre”, theksohet në deklaratën për mediat të Ambasadës Pink.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›