E Shtunë, 31 Tetor 2026

ODIHR: Jo numërim të plotë elektronik votash më 2013

Këtë opinion ka dhënë misioni i vëzhguesve të ODIHR-it, sipas të cilëve kjo teknologji nuk mund të futet që në zgjedhjet e ardhshme. Janë ekspertët e ODIHR që prej tre ditësh kanë mbërritur në Shqipëri me rekomandimet e tyre për pjesën e miratuar deri tani me konsensus nga forcat kryesore politike, që rrëzojnë përdorimin e teknologjisë në zgjedhje, numërimin elektronik apo leximin elektronik të kartës së së identitetit në qendrën e votimit.

Mësohet se propozimi i PS për përdorimin e teknologjive, për të cilin PD dha konsensus rreth dy javë më parë në komision refuzohet nga ODIHR si i nxituar, dhe si një proces i parealizueshëm për zgjedhjet 2013. Kjo pasi ekspertiza e ODIHR e vlerëson si të pasigurt dhe të paqëndrueshme, madje rekomandohen të paktën 3 vjet kohë përgatitore për futjen e teknologjive në zgjedhje, fillimisht duke i përdorur ato nëpërmjet projekteve pilote në shkallë të ulët dhe në mënyrë graduale, shkruan “ABC”.

Gjithashtu bëhet e ditur se ODIHR përmes rekomandimeve të tij tërheq vëmendjen për një kuadër ligjor të detajuar, të saktë dhe garant ndaj abuzimeve dhe mbrojtjes së të dhënave personale. Komisionit të reformës zgjedhore, pas këtyre rekomandimeve, i mbeten vetëm 3 ditë për të korrigjuar konsensusin. Në ditët e mbetura, votimi dhe numërimi, dy kapitujt më voluminozë dhe më të rëndësishëm, pritet të rikthehen si prioritet kryesor ne agjendën e komisionit, të cilit i kishin mbetur për t’u përmbyllur kapitujt e fundit, ndër të cilët ankimimet dhe administrimi i zgjedhjeve. /Start/

                                                                                             2012-05-13 09:10
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›