E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranvera shqiptare ka filluar

Koço Danaj, kreu i Lëvizjes Lista për Shqipëri Natyrale

Lëvizja Lista për Shqipëri Natyrale thotë se po fillon Pranvera shqiptare, e cila do të konkretizohet me Shqipërinë natyrale.

Lista për Shqipëri Natyrale ka përshëndetur protestat e shqiptarëve në disa qytete të Maqedonisë.

Mijëra shqiptarë sot i treguan shovinizmit maqedonas, bashkësisë ndërkombëtare dhe politikanëve shqiptarë se kërkojnë dinjitet, kërkojnë barazi, kërkojnë të jetojnë si shqiptarë. Lista për Shqipëri Natyrale përshëndet qindra anëtarët e saj të cilët sot ishin në ballë të protestave në Shkup, Tetovë e Kumanovë, duke i dhënë protestave karakter të theksuar kombëtar. Incidentet sporadike nuk ua ulin vlerat këtyre protestave. Ato do të eliminohen në protestat e radhës, thuhet në një komunikatë të kësaj liste, me porosinë për anëtarët dhe simpatizantët e saj, si dhe gjithë shqiptarët që aderojnë në parti të ndryshme politike, që të përgatiten për protestën e radhës.

Sipas kësaj liste, protesta e radhës duhet të jetë më masive, më e organizuar, më me vendosmëri dhe me më shumë rregull.

Ne ftojmë anëtarët e BDI dhe PDSH që të mos bëjnë sehir, por të marrin pjesë në protestë. Vetëm kështu ata do të ndihmojnë edhe politikanët e tyre, vetëm kështu do të mbrojnë të drejtat, vazhdon komunikata, e cila përfundon me pohimin se Pranvera Shqiptare sapo ka filluar dhe se pas organizimit, qetësisë, vendosmërisë dhe qartësisë politike Shqipëria natyrale do të fitojë.  /Kosovapress/

Përgatiti: E.L

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›