E Diel, 1 Nëntor 2026

ODIHR: Në Tiranë të vendosim nëse do të vëzhgojmë zgjedhjet

TIRANE-  Ekipi vlerësues i ODIHR do të qëndrojë për 3 ditë për të mbledhur fakte dhe për të raportuar më pas pranë Organizatave Ndërkombëtare në Vjenë nëse duhet dërguar një mision vëzhgues në Shqipëri për zgjedhjet e 23 qershorit apo jo.  
 
Ekipi vlerësues ,"Needs Assesment Mission" nisi sot takimet me  ministrin e Jashtëm Edmond Panariti.  Një nga përfaqësueset e këtij misioni vëzhgues shpjegoi dhe arsyen pse ndodhej në Tiranë. Ndërkohë që konkluzionet do të bëhen publike në një raport që do publikohet në fund të misionit në faqen online zyrtare të OSBE.

"Jemi këtu në përgjigje të ftesës së bërë nga qeveria shqiptare për të bërë misionion e vlerësimit të nevojave para zgjedhjeve. Sapo kemi mbërritur dhe është tepër herët pë të folur për situatën parazgjedhore. Qëllimi është të njihemi me situatën dhe të dalim me konkluzionin nëse ODIHR duhet apo jo të dërgojë mision vëzhgues për zgjedhjet. Ne këtë raport do ta publikojmë në faqen tonë zyrtare.”- tha përfaqësuesja e ODIHR, Nicola Schmidt, pas takimit me ministrin e Jashtëm Edmond Panariti që u zhvillua sot në mëngjes në Ministrinë e Jashtme.

Për këtë qëllim ekipi vëzhgues ka parashikuar një sërë takimesh me përfaqësues të partive, dhe të shoqërisë civile. Në orën 11:30 është parashikuar takimi në kryeministrin Berisha ndërkohë që nesër do të takohet dhe me Ramën. 

Ekipi vlerësues i ODIHR mbërriti dje në Tiranë dhe do të qëndrojë nga data 11 deri 14 mars, për të vlerësuar nevojat e vëzhgimit të zgjedhjeve në vend. Ky mision ka patur dje pasdite një takim me ministrin e Brendshëm, Flamur Noka.

Gjithashtu grupi i vëzhguesve do të vijojë axhendën e takimeve me krerët e të gjitha partive parlamentare, si Ilir Meta, Shpëtim Idrizi, Vangjel Dule dhe Fatmir Mediu. Takimet e përfaqësuesve të ODIHR-it do të vijojnë dhe në takime me krerët e partive joparlamentare dhe me organizatat e shoqërisë civile, që do të përfshihen në procesin e monitorimit të zgjedhjeve.

(sg/shqiptarja.com)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›