E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projekti TAP - Shqipëria, Mali i Zi dhe Kroacia, bashkëpunim për rajonin

12-03-2013 / Gazeta 55

Krerët me të lartë të shtetit presin ministrin e Jashtëm të Malit të Zi, zotin Igor Lukšič

Kryeministri Berisha priti në një takim zëvendëskryeministrin dhe njëkohësisht ministrin e Jashtëm të Malit të Zi, zotin Igor Lukšič. Në takim u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera politike midis dy vendeve dhe qeverive, si dhe u rikonfirmua vendosmëria dhe vullneti i palëkundur për të zgjeruar e intensifikuar edhe më tej bashkëpunimin e suksesshëm të deritanishëm dhe frytdhënës në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, si në kuadrin bilateral, ashtu edhe në kuadër të bashkëpunimit rajonal e projektit madhor të të dy vendeve, integrimi në Bashkimin Evropian.
Në këtë kontekst u ripohua vendosmëria e të dy qeverive për të përfunduar infrastrukturat e rëndësishme rrugore, por edhe të tjera, të cilat lidhin të dy vendet dhe do t’i japin një hov të ri shkëmbimeve tregtare ekonomike dhe zhvillimit të të dy vendeve. Ndër to u përmendën përfundimi i rrugës Ulqin - Muriqan, përfundimi i segmentit Hani i Hotit – Vermosh, por edhe rinovimi i segmenteve hekurudhore, të cilat kanë një rëndësi të madhe dhe janë shumë efikase në tregtinë midis  dy vendeve.
Gjithashtu, edhe thellimi i lumit Buna, i cili shoqërohet me projekte të tjera për ta kthyer zonën e liqenit të Shkodrës, në të dyja anët e kufirit, në një atraksion të vërtetë të turizmit ndërkufitar për rajonin dhe Bashkimin Evropian.
Në takim u diskutua edhe për rëndësinë e jashtëzakonshme të ndërtimit të infrastrukturave për furnizimin me energji të rajonit, ku u theksua se projekti TAP mbetet projekti më fizibël dhe me interesin më të madh për vendet e rajonit dhe ekonomitë e tyre. 
Kryeministri Berisha e siguroi Zëvendëskryeministrin Lukšič se Shqipëria ka qenë dhe do të vijojë të mbështesë fuqishëm anëtarësimin e plotë dhe sa më të shpejtë të Malit të Zi në NATO, duke e konsideruar këtë si një tjetër kontribut në shërbim të forcimit të sigurisë së krahut jug-perëndimor të NATO-s, por edhe të rajonit.
Ndërkohë më herët Zëvendëskryeministrin dhe njëkohësisht ministrin e Jashtëm të Malit të Zi, zotin Igor Lukšič pati takime me krerë të lartë të shtetit shqiptar, me ministrin e Jashtëm Panariti, me kryetaren  e Kuvendit znj. Topalli dhe presidentin e Republikës,  Nishani. 
Dy ministrat e Jashtëm, ranë dakord që Shqipëria, Mali i Zi e Kroacia të punojnë së bashku për të mbështetur projektin TAP, me synim për shtrirjen e tij në rajon. Kryetarja e Kuvendit me Zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, Igor Luksic theksoi se “Koha për bashkëpunim në projekte madhore rajonale”.
Luksic e njohu Kryetaren e Kuvendit me nismën më të fundit për nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi mes vendeve të rajonit.
“Përveçse të qenit vende anëtare të NATO-s, Shqipëria dhe Mali i Zi ndajnë gjithashtu të njëjtën aspiratë për anëtarësim në Bashkimin Europian. Është hera e parë që vendet e rajonit po flasin me një zë. Vetëm nëse jemi bashkë do të ecim përpara dhe na takon ne të bëjmë diçka,” tha Zëvendëskryeministri i Malit të Zi.
Duke ndarë të njëjtin vlerësim, Kryetarja e Kuvendit nënvizoi se ka ardhur koha që marrëdhëniet politike mes dy vendeve të përkthehen edhe në bashkëpunim për projekte të mëdha të përbashkëta në ekonomi, infrastrukturë, energji, turizëm, etj. 
Ndërsa me presidentin e Republikës Nishani zëvendëskryeministri dhe njëkohësisht ministri i Jashtëm të Malit të Zi, zotin Igor Lukšič bashkëbieduan për mundësitë që ekzistojnë për forcimin e bashkëpunimit dypalësh, rajonal dhe integrimin europian të dy vendeve tona dhe rajonit në përgjithësi. Presidenti Nishani dhe Zëvendëskryeministri Lukšić ndanë mendimin se dy vendet tona duhet të flasin me një zë kur bëhet fjalë për projekte përbashkëta të rëndësishme në fushën e mjedisit, turizmit, infrastrukturës rrugore, duke veçuar projekte të tilla si TAP, IAP, për të cilat kryediplomati malazez kërkoi mbështetjen e Shqipërisë për nënshkrimin e një memorandumi mirëkuptimi ndërmjet Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kroacisë. Presidenti Nishani vlerësoi rolin e faktorit shqiptar në Mal të Zi si kontribuues në zhvillimin e demokracisë, forcimin e shtetit ligjor si dhe në mbështetjen e proceseve integruese në këtë vend dhe rikonfirmoi rolin e Shqipërisë si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon. Presidenti Nishani dhe Zëvendëskryeministri Lukšić u shprehën optimistë për të ardhmen e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona, të cilat i shërbejnë të dy popujve dhe përbëjnë gjithashtu një model për popujt e tjerë të rajonit. Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se Kosova përbën një faktor stabiliteti në rajon dhe se do të punojnë së bashku për përfshirjen e saj në të gjitha nismat rajonale dhe më gjerë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›