ODIHR: Zgjedhje transparente, por numërimi i ngadaltë
Kreu i misionit, Jonathan Stonestreet, ka konfirmuar se vëzhguesit nuk do të largohen nga Shqipëria edhe për dy javë, pasi do të ndjekin nga afër procesin e numërimit
Zgjedhjet e 8 Majit 2011 janë cilësuar transparente e konkurruese prej vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it, të cilët thanë se është ende herët për të thënë nëse ishin edhe të lira e të ndershme. Misioni i drejtuar nga amerikani Jonathan Stonestreet publikoi dje raportin paraprak, duke konfirmuar se vëzhguesit afatshkurtër do të qëndrojnë edhe për dy javë të tjera për të ndjekur procesin e plotë të numërimit të votave. Më poshtë disa prej konstatimeve kryesore të raportit.
Administrimi i Zgjedhjeve
KQZ-ja i përfundoi përgatitjet teknike për zgjedhje, përfshirë printimin e fletëve të votimit, shpërndarjen e materialeve dhe miratimin e udhëzimeve për procedurat e numërimit. Megjithatë, mjedisi i përgjithshëm politik ndikoi në punën dhe kolegjialitetin e KQZ-së. Tre anëtarët e emëruar nga opozita e ndërprenë pjesëmarrjen në mbledhjet e KQZ-së nga janari deri më 8 prill, pjesërisht për shkak të mosmarrëveshjeve me anëtarët e mazhorancës për miratimin e rregullave dhe procedurave të brendshme të KQZ-së. Shpesh diskutimet ndërmjet anëtarëve të KQZ-së ishin të ashpra. Ndërsa në përgjithësi KQZ-ja i merrte vendimet unanimisht, ajo votoi me tone partiake (katër anëtarë të propozuar nga shumica kundër tre anëtarëve të propozuar nga opozita) lidhur me çështjet e debatuara mes PD-së dhe PS-së. Pati edhe mosmarrëveshje, nëse disa vendime mund të merreshin me shumicë të thjeshtë apo kërkonin një shumicë të cilësuar prej pesë votash. Dy vendime të marra pa shumicë të cilësuar u rrëzuan nga Kolegji Zgjedhor në bazë të një ankimimi. KQZ-ja në përgjithësi u tregua transparente gjatë procesit të vendimmarrjes. Seancat ishin publike dhe transmetoheshin drejtpërdrejt në faqen e saj të internetit. Megjithatë, rendi i ditës nuk publikohej gjithmonë 24 orë para seancës, sikurse parashikohet me ligji. Anëtarët e opozitës dhe përfaqësuesit partiakë të PS-së deklaruan gjatë seancave se jo gjithmonë i merrnin që më parë dokumentet për diskutim. Në disa raste, kryetari i KQZ-së i trajtonte këto shqetësime duke e shtyrë diskutimin për në seancën e radhës. KZAZ-të duhet të ishin ngritur tre muaj përpara zgjedhjeve, por partitë nuk i dorëzuan propozimet e tyre brenda afatit ligjor. Ndonëse partitë e mazhorancës i emëruan anëtarët menjëherë pas kësaj, partitë e opozitës nuk e bënë këtë gjë, duke e lënë gjysmën e KZAZ-ve pa kuorum. Megjithatë, jo të gjitha KZAZ-të organizuan mbledhje të rregullta dhe as nuk respektuan orarin e punës rekomanduar nga KQZ-ja. Mjaft anëtarë të KZAZ-ve u zëvendësuan gjatë procesit me kërkesë të partive që i kishin emëruar. KQZ-ja dhe KZAZ-të nuk respektuan mjaft afate kohore, si caktimi i VNV-ve, përzgjedhja e partive me të drejtën për të emëruar anëtarë të grupeve të numërimit, miratimi i manualeve të procedurave dhe caktimi i KQV-ve. Disa prej këtyre afateve të parespektuara erdhën si rrjedhojë e drejtpërdrejtë e moszbatimit nga ana e partive të detyrave dhe përgjegjësive që u ka dhënë ligji, sidomos në caktimin/emërimin e anëtarëve të KZAZ-ve dhe KQV-ve. Këto vonesa duket se nuk ndikuan në përgatitjen e përgjithshme të materialeve, por tensionuan administratën zgjedhore. Me ligj, qendrat e votimit (QV) duhet të kenë ndërmjet 150 dhe 1000 votues të regjistruar. Në pothuajse të gjitha bashkitë kishte qendra votimi me më shumë sesa 1000 votues, në disa raste deri në 2000 votues.
Fushata Zgjedhore
Zgjedhjet u zhvilluan në një atmosferë politike mjaft të polarizuar. Disa kryetarë partish përdorën një gjuhë të ashpër kundër kundërshtarëve, përfshirë pretendimet për korrupsion dhe përgjegjësinë për ngjarjen e 21 Janarit 2011. Partitë e opozitës shprehën mungesën e besimit tek autoritetet dhe administrata zgjedhore, ndërsa partitë në pushtet shprehën pretendime se komisionerët e zgjedhur nga opozita do të pengonin procesin.
Fushata zgjedhore u hap zyrtarisht më 8 prill. Kryetarët e partive zhvilluan mitingje në gjithë vendin dhe zyrat vendore të partive organizuan aktivitete fushate në shkallë të gjerë, përfshirë takimet me grupe të vogla të votuesve dhe fushatat derë më derë. Vëmendja u përqendrua më tepër në zgjedhjet për kryetar bashkie dhe komune, sesa në zgjedhjet për këshilla, dhe veçanërisht në garën për kryetar bashkie të Tiranës. Kandidatët, veçanërisht ata të PD-së, i vunë theksin çështjeve vendore, ndërsa PS-ja e përqendroi kritikën edhe ndaj punës së qeverisë, sidomos të Kryeministrit. Të dyja palët përdorën gjerësisht reklamat e fushatës. Shumë reklama të PS-së ishin mjaft negative,
përfshirë pamje të ngjarjeve të dhunshme të 21 Janarit. Zyrtarët e shtetit, kryesisht Presidenti dhe Kryeministri bënë thirrje të përsëritura për një fushatë të qetë dhe paqësore. U shënua edhe një numër i madhe incidentesh të dhunshme të lidhura me
zgjedhjet në disa qarqe, përfshirë edhe incidente jo fatale me armë, vënie eksplozivi në pronat e kandidatëve dhe partive, rrahje dhe kërcënime, të cilat prishën atmosferën e fushatës. Kjo është në kundërshtim me paragrafin 7.7 të Dokumentit të OSBE-së të Kopenhagenit në vitin 19909. Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR dhe delegacionit të Kongresit iu raportuan një sërë ankesash në shumë qarqe të vendit, se ndaj administratës shtetërore, përfshirë mësuesit dhe punonjësit e shëndetësisë, si edhe nxënësit, është ushtruar presion ose për të marrë pjesë në aktivitetet e fushatës të PD-së, ose për të mos shkuar në aktivitetet e opozitës. Presione të tilla përfshinin kërcënime për humbjen e vendit të punës ose nota të ulëta për nxënësit. MVZ i OSBE/ODIHR i ka vlerësuar si të besueshme rastet e presionit në qarkun e Tiranës, Kukësit, Elbasanit, Vlorës dhe Korçës. Kryeministri pranoi raste “sporadike” të një presioni të tillë dhe bëri
thirrje për t’u dhënë fund atyre. Përveç kësaj, si PD-ja, ashtu edhe PS-së ngritën pretendimin se punonjësve të sektorit publik u kërkohej të jepnin të dhënat personale dhe të anëtarëve të familjes, përfshirë edhe vendin e votimit, si formë presioni. MVZ-ja e OSBE/ODIHR-it verifikoi disa raste në qarkun e Elbasanit dhe Tiranës. Pati mosmarrëveshje për vendosjen e posterave dhe flamujve në shumë zona. Dispozitat e Kodit Zgjedhor dhe një udhëzim i KQZ-së, që rregullojnë përgjegjësinë e autoriteteve vendore për përcaktimin e vendeve për afishimin e materialeve të fushatës, nuk janë zbatuar rregullisht dhe në shumë vende nuk janë zbatuar aspak. Në disa raste kjo çoi në heqjen e posterave ose flamujve dhe ndonjëherë edhe në konfrontime të dhunshme.
Është i ndaluar përdorimi i burimeve administrative për qëllime fushate. Qysh në hapje të fushatës, Kryeministri nxori një udhëzim ku u kërkohej zyrtarëve shtetërorë dhe vendorë që burimet administrative, veçanërisht automjetet, të mos përdoreshin për qëllime fushate, në përputhje me Kodin Zgjedhor. Në një numër të kufizuar rastesh, qeveritarët, përfshirë Kryeministrin dhe kryetarët aktualë të bashkive që rikandidojnë në Tiranë dhe Durrës, shfrytëzuan aktivitetet zyrtare për qëllime fushate.
Dita e zgjedhjeve
Dita e zgjedhjeve ishte relativisht e qetë krahasuar me fushën parazgjedhore. Dita e zgjedhjeve u shoqërua nga çorganizimi në një numër qendrash votimi, por shumica e problemeve në këto QV kishin natyrë procedurale. Mbi të gjitha, transparenca e procesit ditën e zgjedhjeve u vlerësua pozitivisht. Kandidatët politikë i shpërndanë përfaqësuesit në pothuajse të gjitha QV-të dhe VNV-të, ndërsa vëzhguesit vendas jo partiakë ishin të pranishëm në një të pestën e QV-ve të vizituara. KQZ-ja njoftoi një pjesëmarrje në zgjedhje prej 51 për qind. Shumica e QV-ve të vëzhguara u hapën me vonesë (57 nga 75). Disa prej vonesave ishin si shkak i mungesës së materialeve zgjedhore, përfshirë fletët e votimit, bojën ose kutitë e votimit, por edhe për shkak të mosmarrëveshjeve të anëtarëve të KQV-ve lidhur me procedurat. Vëzhguesit raportuan probleme procedurale në 19 QV dhe persona të paautorizuar brenda 10 QV-ve, shumica aktivistë të partive. Këta faktorë bënë që vëzhguesit ta vlerësonin negativisht hapjen e një numri të madh të QV-ve
(21 QV). Gabimet në prodhimin ose shpërndarjen e fletëve të votimit rezultuan në moszhvillimin e tri garave zgjedhore dhe votimi u anulua në tetë QV të tjera.
Procesi i votimit u vlerësua si pozitiv prej vëzhguesve në 90 për qind të QV-ve të vizituara. Vlerësimi negativ në 10 për qind të tyre ishte kryesisht për shkak të problemeve procedurale, të cilat mund të jenë shkaktuar prej emërimit me vonesë të anëtarëve të KQV-ve dhe mungesës së trajnimit të standardizuar. Në 16 për qind të QV-ve të vëzhguara, nuk u ndoqën gjithmonë procedurat dhe KQV-të nuk i njihnin procedurat në 12 për qind të rasteve. Kjo ishte mjaft e dukshme në procedurën e lyerjes së gishtit me bojë, pasi komisionerët nuk i kontrollonin rregullisht votuesit nëse e kishin (20 për qind të vëzhgimit) apo nuk e kishin gishtin me bojë (7 për qind). Votimi familjar/në grup, çka dhunon fshehtësinë e votës, u vërejt në 21 për qind të QV-ve të vizituara. Në shumë QV
kishte dyndje (14 për qind) ose vendosje të papërshtatshme të mjeteve të votimit (6 për qind). Tensioni ose shqetësimet u vërejtën brenda 7 për qind të QV-ve të vizituara. Disa materiale zgjedhore mungonin në 4 për qind të QV-ve. Vlerësimi i vëzhguesve varionte sipas rajoneve, me Tiranën të vlerësuar në përgjithësi si më pozitivisht (94 për qind).
Ndonëse në një shkallë më të vogël se problemet procedurale, u vërejtën një numër parregullsish. Votuesit u kërcënuan në 15 raste (në pothuaj 2 për qind të vëzhgimeve) ose u ndikuan në zgjedhjen e tyre (4 për qind). Votimi nga persona të tjerë u vërejt në 5 për qind të QV-ve të vizituara dhe i njëjti person “ndihmonte” votues të ndryshëm në 3 për qind të QV-ve. Vëzhguesit verifikuan dy raste në kutinë e votimit ballot box stuffing.
Në 18 nga 72 QV-të e vëzhguara, procedurat mbyllëse nuk aplikoheshin gjithmonë plotësisht. Në 6 QV kishte tension ose trazirë, dhe mbyllja në disa KQV u vonua në mënyrë të panevojshme. Vëzhguesit e vlerësuan mbylljen si pozitive në 56 QV. Transporti i materialeve në VNV u vlerësua pozitiv për të gjitha QV-të e vëzhguara.
Në momentin e publikimit të këtij raporti, VNV-të e vëzhguara duket se po funksionojnë mirë dhe me transparencë, me përjashtim të disa rasteve. Megjithatë, numërimi po vazhdon me ngadalësi dhe, në disa raste, me ndërprerje të paparashikuara. Hera-herës numërimi është vlerësuar si i paorganizuar. Aktivitetet janë ndikuar nga tensione (25 VNV) edhe nga prania e personave të paautorizuar (30 VNV), edhe pse në përgjithësi ata nuk po ndërhyjnë në procesin e numërimit. Të kuptuarit e procedurave të numërimit vlerësohet si i dobët në 10 VNV. Në kundërshtim me praktikën e mëparshme, në momentin e hartimit të kësaj deklarate, publikimi i rezultateve paraprake të zgjedhjeve nga KQZ-ja nuk u lëshua duke specifikuar QV-në dhe KZAZ-në, por ishte i kufizuar në numrin e përgjithshëm të votave nga kandidatët dhe subjektet politike.