Berisha: Kavaja? S’e komentoj votën, jam i durueshëm të pres rezultatin
Kryeministri Sali Berisha përshëndeti dje raportin paraprak të OSBE/ODIHR-it. Për votimin në të gjithë vendin, Berisha tha se, do të presë rezultatin përfundimtar
TIRANË- Vetëm pak minuta pas bërjes publike të raportit paraprak të OSBE/ODIHR-it, Kryeministri Sali Berisha e përshëndeti nga selia blu, përmes një konference për shtyp, të mbajtur dje në mesditë”. Jam këtu për të shprehur një mirënjohje të veçantë të gjithë vëzhguesve ndërkombëtarë, por dhe të vendit, një mirënjohje vendeve që i dërguan ata, mirënjohje ODHIR-it dhe të gjitha ambasadave, që në një uikend angazhuan personelin e tyre diplomatik, burimet e tyre, materialin, për vëzhgimin sa më të plotë të këtyre zgjedhjeve”, - tha ai. Kryeministri Berisha shprehu gatishmërinë që ky proces të kompletohet në transparencën më të madhe, që çdo votë e qytetarëve të marrë peshën që i takon në përputhje me Kushtetutën e këtij vendi. Por, përpos gatishmërisë për të përshëndetur këtë raport, kreu i ekzekutivit u tregua i rezervuar në përgjigjen e tij, teksa u pyet për rezultatin e mazhorancës në bashkitë kryesore në vend dhe fenomenin “Kavaja”, ku Partia Demokratike humbi për herë të parë. Berisha tha se është në pritje të rezultatit përfundimtar për të dhënë edhe qëndrimin e tij. “Mazhoranca, qeveria, kryeministri janë të detyruar të zbatojnë me përpikmëri ligjin, të bëjnë gjithçka që procesi të zhvillohet në përputhje me shtetin ligjor, dhe institucioneve, ajo që unë nuk mund të marr përsipër kurrë është raporti i politikanëve, që çdo forcë politike zgjedh me votën e shqiptarëve. Ajo është një palcë, palca e kulturës sepse nëqoftëse je në politikë, je natyrisht për të shfrytëzuar të gjithë potencialin për të realizuar idetë dhe programin që ti beson, je në mënyrë vendimtare për të pranuar verdiktin e popullit tënd e kombit tënd, cilido të jetë ai. Mbetem shumë i vendosur të përshëndes, sapo KQZ të japë rezultatin dhe ju e keni konstatuar që ne nuk japim rezultatet nga 2009 e këtej, nuk publikojmë asnjë rezultat, jo se nuk kemi qendrat tona që përpunojmë të dhënat, i kemi për përdorim të brendshëm, por që në mënyrë absolute ne nuk do t’i lejojmë vetes të parakalojmë institucionet zyrtare, të cilat tani falë teknologjisë në dhënien e të dhënave janë pothuaj në kohë reale. Unë pres të finalizohen rezultatet dhe të bëj përshëndetjen. Zgjedhësit i përshëndeta, por të përshëndes të zgjedhurit”, - tha Berisha. Duke u përqendruar pikërisht te përgjigjia e tij për humbjen e Kavajës, Kryeministri shtoi: “Prit mos u ngut, mos më bëj të komentoj votën, unë jam i durueshëm të pres, nuk shprehem sepse më duhet pastaj të komentoj votën. Se do të jetë blu Shqipëria, do ta shpallim pasi të shpall rezultatin KQZ-së”, - cilësoi Berisha. Kryeministri u pyet edhe mbi mënyrën e pasqyrimit nga media të fushatës, duke veçuar edhe një deklaratë të kryetarit të opozitës, sipas të cilit, zgjedhjet në ekran ishin shumë të mira ndërsa në terren të shëmtuara. “Unë e dëgjova deklaratën e z. Rama, e cila ishte një deklaratë hutimi, dhe nuk mund të thuash që në ekran ishin kështu. Por e pashë dje në ekran që nxori Kryetaren e Bashkisë së Burrelit, më erdhi mirë, dhe tha që ja ku i kam mandatet e tyre, por në kundërshti z. Rama i djeshëm përgënjeshtroi z. Rama të pardjeshëm. Është normale në politikë të korrigjohesh”, - tha Berisha.