OKB: Gjenden 100 trupa të pajetë në Bregun e Fildishtë

Kombet e Bashkuara kanë njoftuar sot se të paktën 100 trupa të pajetë ishin gjetur në Bregun e Fildishtë. Zyrtarët mendojnë se këto vrasje kanë mundur të jenë të shkaktuara nga motive etnike.
Ky zbulim u bë një ditë pasi Alassane Ouattara, i njohur nga komuniteti ndërkombëtar si fitues i zgjedhjeve presidenciale në Bregun e Fildishtë, shpalli se refuzimi i presidentit aktual, Laurent Gbagbo, për ta dorëzuar pushtetin, e ka zhytur këtë vend në krizë humanitare.
Gbagbo po fshihet në qytetin jugor, Abigjan.
Ouattara, gjithashtu theksoi se do ta përmirësoj situatën në Bregun e Fildishtë dhe i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian dhe Bankës Qendrore të Afrikës Perëndimore, që të tërheqin sanksionet në porte, banka dhe në biznese të tjera.