OKB: Situata në Siri, ekstremisht e rrezikshme

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, thotë se kriza në Siri është “ekstremisht e rrezikshme” dhe potencialisht mund të ketë ndikime në botë.
Këto komente ai i bëri mbrëmë vonë, ndërsa anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së po shqyrtonin një deklaratë jo-detyruese, ku i bëhet thirrje qeverisë së Sirisë dhe opozitës për implementim të propozimeve për ndaljen e dhunës, të Kofi Ananit, që është i dërguar i OKB-së dhe i Ligës Arabe për Siri.
Nëse deri sot pasdite anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së nuk paraqesin vërejtje, diplomatët thonë se deklarata do të konsiderohet e miratuar.
Rusia ka thënë se ishte e gatshme për ta mbështetur rezolutën, pasi përkrah përpjekjet e Kofi Ananit. Por, Moska thotë se nuk do të pranoj ndonjë ultimatum në adresë të qeverisë së Sirisë. Rusia, së bashku me Kinën, më herët i ka bllokuar dy rezoluta për Sirinë.
Kombet e Bashkuara vlerësojnë se më se 8 mijë njerëz janë vrarë gjatë kryengritjes njëvjeçare në Siri, kundër regjimit të presidentit Bashar al-Asad.