OKB: Vrasja e Gedafit do të hetohet
Komisariati i Lartë i të Drejtave të Njeriut në Kombet e Bashkuara është prononcuar sot në lidhje me një hetim mbi rrethanat jo të qarta të vdekjes së Muamar Gedafit.
Janë 4-5 versione të ndryshme dhe në këto kushte lind nevoja për një hetim, ka thënë sot në Gjenevë zëdhënësi i Komisariatit të Lartë, Rupert Colville.
KKT: Trupi do të varroset brenda 24 orësh
Muamar Gedafi do të varroset brenda 24 orëve të ardhshme, pavarësisht se vendi nuk është caktuar akoma. Lajmin e ka dhënë komandanti i Këshillit Kombëtar Tranzitor, Abdul-Salam Eleiwa, nga Misurata, ku ndodhet edhe trupi i kolonelit, i cili gjendet përkohësisht në një dhomë frigoriferike të tregut të qytetit. Sipas rebelëve, trupi i Gedafit do të trajtohet me dinjitet, sipas riteve myslimane.
Franca: Vdekja e Gedafit, fundi i misionit të NATO-s
Për Francën, operacioni ushtarak i NATO-s në Libi konsiderohet i mbyllur, pas vrasjes së Muamar Gedafit.
Mendoj se mund të themi se operacioni ushtarak i NATO-s është përmbyllur dhe i tërë territori libian është nën kontrollin e Këshillit kombëtar të Tranzicionit, ka thënë ministri i jashtëm francez, Alen Zhype.