Henri VI del nga një bunker
Titulli i referohet imazhit prezantues të Shqipërinë në faqen zyrtare të festivalit shekspirian Globe to Globe, pranverë 2012. Teatri Kombëtar merr pjesë në festivalin e 37 vendeve në Teatrin Glob të Londrës me pjesën II të trilogjisë Henri VI me regji nga Adonis Filipi. Kalendari i festivalit është shpallur në shtator, por Teatri Kombëtar priti qetësimin e situatës politike për ta bërë zyrtar lajmin me Ministrin e Kulturës Aldo Bumçi në njërin krah dhe ambasadoren e Britanisë në krahun tjetër.
Ngaqë është ngjarje e rëndësishme bashkë me konkursin e dramës shqipe në kuadër të 100-vjetorit të pavarësisë, do të ketë mbështetjen e kryeministrit Sali Berisha.
Ishte një rast për ti hyrë një kërkimi të shpejtë në Arkivin e Teatrit Popullor, me ndihmën e arkivistit dhe fotografit të Teatrit Genci Resuli, mbi historinë e veprave të Shekspirit te kjo skenë nga fillimet, vitet pesëdhjetë, deri më sot.
Materiali fotografik është në proces dixhitalizimi, megjithatë shëtitja me Shekspirin mund të ilustrohet e plotë. Për mrekulli! Në sfondin e një historie me golla mungesash të kulturës botërore.
Theatri Popullor i dekoruar me Urdhrin e Punës Klasi I-rë, njofton premierën Otello Arapi i Venedikut nga Viliam Shekspir, për sezonin 1952-53. Praktika e kohës njihte vënësin në skenë, që në këtë rast ishte Artisti i Merituar i R.S.F.S.R Kriçko A.I, dhe regjisorin. Në afishe shkruhen 3 emra regjisorësh: Ljubov R. Kriçko, Besim Levonja dhe Andon Pano. Në fletëpalosjet elegante me të dhëna për veprën e Shekspirit, shënohen dhe emrat e aktorëve Loro Kovaçi në rolin e Otellos, Ndrek Luca e Kadri Roshi në rolin e Jagos, rreshter i Otellos, Sandër Prosi në rolin e Kasit, Liza Vorfi në rolin e Desdemonës, e me radhë Behije Çela, Drita Agolli, Andon Pano, Mihal Stefa, Andrea Minga, Stathi At. Stathi, Pjetër Gjoka, deri te Viktor Gjoka në figurën e Gondolierit.
Njihet zë më vete arkitekti i skenës që është Stavri Rafael i cili ka realizuar dhe kostumet bashkë me piktorin Hysen Devolli. Muzika është e Mustafa Krantjes dhe luhet nga Orkestra e Filarmonisë Shqiptare. Vite më vonë Piro Mani e futi interpretimin live të muzikës te Nata e dymbëdhjetë.
Viti 1959. Gratë gazmore të Uindsorit vihet në skenë nga Kujtim Spahivogli i shkolluar për art dramatik në Bashkimin Sovjetik. Asistent ka aktorin Kadri Roshi i shkolluar në Pragë. Piktor është sërish Hysen Devolli. Dorën e Devollit e sheh në atë kohë edhe në Opera. Është i njohur portreti i Mihal Popit nga kjo komedi e Shekspirit në rolin e Ser Xhon Falstafit, i luajtur edhe nga Gjon Karma. Por zgjodhëm një imazh të pabotuar të Kadri Roshit në rolin e Slenderit. Aktorë të tjerë janë Sulejman Pitarka, Sandër Prosi, Prokop Mima, Ferial Alibali, Ndrek Shkjezi, Drita Pelinku, Afërdita Taçi, Behije Çela.
Një tjetër regjisor sovjetik punon me Shekspirin. Vënësi në skenë i Hamletit më 1960, përkthim i Fan Nolit, është V.V. Bortko. Regjisorë janë Andrea Malo, N.V. Çefranova. Muzika është e Dimitri Shostakoviçit (i deklaruar më vonë kompozitor i padëshiruar në BS aq edhe në Shqipëri). Loro Kovaçi e Pjetër Gjoka luajnë Mbretin Klavd. Hamlet janë Kadri Roshi, Kujtim Spahivogli e Naim Frashëri. Horati luhet nga Ndrek Luca e Sandër Prosi, Polloni nga Andon Pano e Gjon Karma, Laerti nga Qenan Toro e Tefë Pali, Gertruda nga Drita Agolli, Drita Pelinku, Marie Logoreci, Ofelia nga Afërdita Taçi dhe Margarita Xhepa. Imazhi i kësaj të fundit nuk mund të lihej jashtë ciklit të fotove të zgjodhëm.
Mbreti Lir vihet në skenë për sezonin 1965-66 (përkthyer nga Skënder Luarasi), nga kryeregjisori (kështu quhet) Pandi Stillu (Artist i Merituar). Lir është Tefë Pali. Kemi një foto të mrekullueshme të aktoreve Drita Pelinku e Margarita Xhepa në dialogun e motrave Gonerila dhe Regana. Kordelja është Roza Xhuxha dhe Edi Luarasi.
Interpretojnë dhe: Sandër Prosi, Naim Frashëri, Mario Ashiku.
Pas Mbreti Lir kemi Murin e Madh të Pakapërcyeshëm. Vepra me këtë titull e një autori kinez, është një metaforë e gjendjes edhe më të izoluar të Shqipërisë në vitete shtatëdhjetë që vështron nga Kina.
Lamtumirë Shekspirit për afro 20 vjet dhe shumë autorëve të huaj! Një armatë dramaturgësh dhe jodramaturgësh të partishëm pjell një repertor që sot konsiderohet i vdekur: Tri të shtëna pushke Ibrahim Uruçi, Perkolgjinajt Kolë Jakova, Toka e Zjarrtë Dritëro Agolli, Familja e Peshkatarit Sulejman Pitarka, Gryka e nëmur Teodor Laço, Një ngjarje në fabrikë e Fadil Paçramit e vitit 1968, dosja e të cilës mban një shenjë të kuqe si për të shënuar fatin e Paçramit, i dënuar pak vite më mbas.
Përjashtim bën një Breht më 1971 me Arturo Ui dhe Luiza Miller më 1979. Çështë në mes është e kripur me parti e komisarë, me një i mirë, një i keq e një që ndreqet (do thoshte Trebeshina). Sa për ti përmendur: Heronjtë e Linasit, Një bie mijëra ngrihen, Karavidhet, Shënomëni dhe mua, Lenini dhe fëmijët, Komunistët. Kjo e fundit është e vitit 1981.
Shekspiri kthehet më 1982. Është thjesht një përshtypje që Shekspiri ka qenë familjar për skenën e këtij teatri, thotë Genci Resuli shef i Arkivit të TK. Dhjetë vepra shekspiriane në pesëdhjetë vjet, janë fare pak. Një orkestër e madhe simfonike nuk mund ta kuptojë repertorin pa një Bethoven, dhe një teatër nuk mund ta kuptojë veten pa një Shekspir.
Pra, Nata e dymbëdhjetë vihet në skenë më 1982 nga Pirro Mani. Skenografia dhe kostumet janë të Agim Zajmit. Lexojmë në një pllakat të thjeshtë emrat e aktorëve: Ahmet Pasha, Ndriçim Xhepa, Fitim Makashi, Anil Frashëri, Fadil Kujofsa, Vasillaq Vangjeli, Pavlina Mani, Agim Qirjaqi, Roza Anagnosti, Yllka Mujo, Leka Sefla etj..
Muzika e Rikard Jorganxhiut është interpretuar live me një piano, kujton Genci. Ishte një risi, edhe aktorët këndonin live. Është nga komeditë më të suksesshme të Teatrit Popullor. Është luajtur deri në nëntëdhjetën.
Një ftesë që ruhet në dosjen e këtij Shekspiri ftohet shoku filan të marrë pjesë në shfaqje dhe e kujtojnë se biletat rezervohen deri në orën 12.00.
Ndërmjet kësaj komedie dhe Shekspirit të ardhshëm, Teatri Popullor Dekoruar me Urdhrin e Flamurit luan sërish Gjenerali i ushtrisë së vdekur Ismail Kadare, Vdekja e një komisionarit Artur Miler, Hijet e Natës Vedat Kokona, Pas vdekjes Çajupi.
Dhimitër Pecani përgatit për premierën e 12 shtatorit 1987 tragjedinë Romeo dhe Zhuljeta. Skenograf është Shaban Hysa, muzika është e Ardit Gjebresë. Në role: Xhuljeta – Eva Alikaj dhe Matilda Makoçi; Romeo – Ndriçim Xhepa dhe Kastriot Çaushi, Frati Lorens – Kadri Roshi dhe Agim Qirjaqi; Vaja – Margarita Xhepa dhe Pavlina Mani; zoti Kapulet – Ahmet Pasha, Andon Qezari; zonja Kapulet – Drita Haxhiraj dhe Elida Janushi etj.. Pecani punon për skenën e festës me koreografin Skënder Selimi dhe për duelet me Skënder Plasarin, pedagog skerme.
Kjo dosje është nga më të pasurat me foto, prandaj habitesh sesi media nuk e shfrytëzuar fare dhe nuk e ka përmendur Zhuljetën e Matilda Makoçit apo Romeon e Kastriot Çaushit. Një vit me vonë, më 11 qershor 1988, Fatos Haxhiraj vë në skenë Zbutja e kryeneçes. I bie kështu dy Shekspir në një sezon teatror. Interpretojnë Artan Imami, Yllka Mujo, Shkëlqim Basha, Eva Alikaj etj..
Vlejti jehona Pallatit 176 të Adelina Balashit për të mbuluar tronditjet e botës shqiptar pas nëntëdhjetës. E si për tu përfshirë me gjithçka brenda asaj që ndodhte, Agim Qirjaqi vuri në skenë dhe luajti vetë Rikardi III me 1992. Dosja është e varfër. Ekziston fotoja e Qirjaqit që po botojmë.
Më 1993 Dhimitër Pecani vë në skenë Dy zotërinjtë nga Verona përkthim i Vedat Kokonës. Edhe
