OKB apel për respektimin e të drejtës së protestës dhe lirisë së shtypit: Forcat e rendit të respektojnë parimin e proporcionalitetit!
Organizata e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri ka reaguar sërish lidhur me tensionet, duke bërë thirrje për dialog konstruktiv dhe respektimin e të drejtave themelore.

Në deklaratën e saj, OKB thekson se e drejta për tubim paqësor dhe liria e shtypit duhet të respektohen dhe të mbrohen.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe veprimeve të forcave të rendit, për të cilat kërkohet respektimi i parimit të proporcionalitetit.
Organizata nënvizon gjithashtu rëndësinë e garancive për një proces të rregullt ligjor, ndërsa dënon aktet e dhunës dhe shkatërrimin e pronës.

Deklarata e plotë e OKB-së:
“OKB në Shqipëri përsërisin sërish apelin për dialog konstruktiv për uljen e tensioneve.
Aktet e dhunës dhe shkatërrimi i pronës publike apo private janë të papranueshme dhe nuk kanë vend në një shoqëri demokratike e paqësore.
Përforcojmë mesazhin se e drejta për tubim paqësor dhe liria e shtypit janë të drejta themelore që duhen respektuar dhe mbrojtur. Theksojmë gjithashtu rëndësinë e respektimit të parimit të proporcionalitetit në veprimet e forcave të rendit dhe të garancive për një proces të rregullt ligjor.”