E Shtunë, 31 Tetor 2026

OKB bën apel të ri për Haitin

Kombet e Bashkuara kanë lëshuar apelin më të madh pas një katastrofe natyrore duke kërkuar mbi 1.4 miliardë dollarë për viktimat e tërmetit në Haiti.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon e falënderoi komunitetin ndërkombëtar për ndihmat që ka dhënë deri tani për Haitin.

"Ju falënderoj të gjithë ju që u përgjigjët me bujari dhe menjëherë ndaj kësaj krize.
Të gjithë atyre që kontribuuan me ushtarë dhe policë, u detyrohemi një mirënjohje të veçantë, në veçanti fqinjëve të Haitit në Karaibe dhe Amerikën Latine," tha ai.

Por sekretari i përgjithshëm tha se Haitit i nevojiteshin miliona dollarë të tjerë.
"Sot ne po i apelojmë komunitetit ndërkombëtar për 1.4 miliardë dollarë në ndihma humanitare dhe për rindërtimin gjatë vitit të ardhshëm," tha z. Ban.

Ai sqaroi se shifra e përmendur përfshinte dhe 600 milionë dollarët e grumbulluar me apelin në fuqi.

"Ajo që po kërkojmë ne sot shkon në 768 milionë dollarë. Kjo shumë do të mbulonte koston e operacioneve emergjente të shpëtimit".

Përparësi në afat të shkurtër në operacionet në Haiti sipas zyrtarëve, do të jenë strehimi dhe ambientet e higjienës publike.

Më herët, kreu i operacioneve humanitare të OKB-së, John Holmes, kritikoi reagimin e agjencive humanitare menjëherë pas tërmetit.

Ai bëri thirrje për një reagim më agresiv për të tejkaluar pasojat e tragjedisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›