OKB diskuton sot nismën serbe
NEW YORK-Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të debatojë sot propozimin e Serbisë. Nisma serbe konsiston në kërkesën që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të shqyrtojë ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës në raport me ligjin ndërkombëtar.
Përkundër Serbisë, Prishtina zyrtare pohon se pavarësia e Kosovës është realitet i pakthyeshëm.
Nga ana tjetër Goran Bogdanoviç, ministër për Kosovën në qeverinë serbe thotë se Beogradi po përballet me presion nga jashtë, që të mos shtyjë përpara votimin në Asamblenë e Përgjithshme. "Presioni po bëhet nga vendet që e kanë pranuar Kosovën dhe që janë vende me ndikim", tha Bogdanoviç për agjencinë e lajmeve Reuters. Qeveria serbe shpreson që shqyrtimi i çështjes në Gjykatën Ndërkombëtare të zgjasë dy deri në tre vjetë.
"Me nismën në fjalë Serbia do të blejë kohë. Kjo do ta kthente Kosovën nga një çështje politike në një problem juridik. Njëherësh një hap i tillë do t'i jepte Serbisë kohën e mjaftueshme të formulojë politika të reja ndaj Kosovës", thotë eksperti serb Dushan Janiç.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të debatojë dhe më pas votojë për nismën serbe. Ministri i jashtëm i Kosovës, Hyseni u shpreh pak ditë më parë se nuk është cudi që rezoluta serbe të votohet. Por sic shtoi ai, do të jetë Gjykata Ndërkombëtare ajo që do të japë fjalën e fundit për ligjshmërinë ose jo të pavarësisë së Kosovës.
(d.b/BalkanWeb)