E Shtunë, 31 Tetor 2026

OKB, kërkon informacion për Trebickën dhe Gërdecin

Një ekip i Kombeve të Bashkuara i kryesuar nga juristi Filip Alston, nis hetimin në Shqipëri mbi çështje të zbatimit të ligjit


Në vëmendjen e vëzhguesve të OKB-së pritet të jetë dhe çështja e zhdukje së biznesmenit Remzi Hoxha


TIRANË- Organizata e Kombeve të Bashkuara kërkon nga Shqipëria informacion të detajuar se çfarë ka bërë për luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit dhe trafiqeve gjatë 5 viteve, gjendjen e të drejtave të njeriut, hetimet e ndryshme. Veçanërisht kërkohet informacion mbi fenomenin e gjakmarrjes, vdekjen e Kosta Trebickës, çështjen e Gërdecit dhe rrëmbimin e Remzi Hoxhës.


Filip Alston është caktuar nga OKB-ja të hetojë në mënyrë të detajuar, çështje të ndryshme të zbatimit të ligjit në Shqipëri, në të cilat ai mendon se kanë interes. Një raport me 29 pyetje për disa prej ngjarjeve më të bujshme në vend, që nga Gërdeci e vdekja e Kosta Trebickës, deri tek korrupsioni e shifrat e krimeve, të cilat presin të marrin përgjigje.


Për të marrë përgjigjet e kërkuara, OKB ka dërguar në Tiranë raportuesin e posaçëm, Filip Alston, që ka mbërritur në vendin tonë një ditë më parë e do të qëndrojë deri më 23 shkurt. Raportuesi Alston ka qenë sot në Shkodër ku ka kërkuar informacion rreth fenomenit të gjakmarrjes. Në formular janë parashikuar pyetje të veçanta për numrin vjetor të vrasjeve, mosmarrëveshjet për pronësinë si motiv për gjakmarrjen.


Avokati i Popullit


Për këtë ka zhvilluar më pas edhe një takim me Avokatin e Popullit, ku ka kërkuar të dijë rreth torturës dhe nëse ndiqen rast pas rasti denoncimet. Pjesë e informacionit që kërkohet janë hapat e ndërmarrë për hetimin e tragjedisë së Gërdecit dhe pas kësaj, detaje dhe të dhëna të hollësishme për vdekjen e biznesmenit Kosta Trebicka.


Raportuesi do të marrë përgjigje edhe për një sërë çështjesh të tjera, si gjyqi për Remzi Hoxhën, rrethanat e zhdukjes së tij dhe shpjegime mbi dyshimet se Shërbimi Sekret Shqiptar ishte përfshirë në ngjarjet e dyshuara të qershorit 1999 dhe se UÇK shfrytëzonte objektet e paraburgimit ne Shqipëri.


Gjatë takimit të parë me komisionerë të Dobjanit, Alston është informuar me probleme të ndryshme që kanë pasur të bëjnë me angazhimin e Avokatit të Popullit në çështje të ndryshme kundër torturës, si dhe me rekomandimet e dërguara prej tij. Hetimet ndalen edhe në të dhënat e korrupsionit e në mënyrë të veçantë të rasteve kur uniformat blu, zyrtarë dhe prokurorë, janë përfshirë në afera të tilla.


Ndërkaq gjatë ditëve në vazhdim, ai pritet të konstaktojë me krerë të Policisë, Prokurorisë së Përgjithshme, dhe të institucioneve të tjera të Zbatimit të ligjit.
Dje Alston ka qëndruar në Shkodër për t'u interesuar për gjakmarrjen ndërsa pritet që në ditët në vazhdim ai të kontaktojë me përfaqësuesit e institucioneve të tjera.


Ndërkaq në fund të më tepër se dhjetë ditëve qëndrim, ai në bazë të përgjigjeve të marra nga përfaqësuesit e institucioneve, do të hartojë raportin që pritet të dërgohet në OKB.


Përpara zyrtarizimit të tij, raporti pritet t'i dërgohet për oponencë qeverisë shqiptare dhe më pas ai do të marrë formën përfundimtare në organet e OKB-së. Në bazë të përfundimeve pritet që ai të ketë edhe rekomandime të posaçme për zbatim në drejtim të vendit tonë.


Pjesë nga pyetësori i ekipit të Alston
Krimi i organizuar ose vrasjet e organizuara në grup.


1. Ju lutemi jepni numrat dhe çdo informacion për vrasjet nga grupet e krimit të organizuar apo bandat.
2.Çfarë politikash, institucionesh, procedurash ose planesh, ka ngritur Qeveria për të trajtuar vrasjet e krimit të organizuar? Ju lutemi të jepni informacion mbi masat e marra për të trajtuar vrasjet e krimit të organizuar.
Vdekjet në paraburgim ose në burgje
1. A ka pasur ndonjë vdekje në paraburgim, në polici apo në burgjet në Shqipëri gjatë 5 viteve të fundit?
2. Nëse po, ju lutemi jepni informacion mbi rrethanat dhe hapat e ndërmarra për të hetuar vdekjet.
3. Ju lutemi të jepni informacion mbi sistemin në vend për të parandaluar vdekjet në paraburgim ose burgje, duke përfshirë informacion relevant në lidhje me monitorimin e pavarur të burgjeve.
Vrasjet nga policia ose forcat e tjera të sigurisë
1. A ka pasur ndonjë vrasje (të ligjshme) nga policia ose forcat e tjera të sigurisë në Shqipëri gjatë 5 viteve të fundit?
2.Nëse po, a ishin vrasjet si rezultat i përdorimit të ligjshëm të forcës? Në qoftë se vrasjet nuk ishin të ligjshme, ju lutem përshkruani masat e marra për të ndëshkuar autorët.
Hetimet
1. Ju lutemi përshkruani hapat e ndërmarra për të hetuar akuzat lidhur me 100-300 serbë, të cilët janë marrë nga Kosova dhe sjellë në Shqipëri në qershor të vitit 1999, të cilëve u janë marrë disa nga organet e brendshme të trupit dhe janë vrarë. Ju lutemi të jepni informacion për përpjekjet për të bashkëpunuar me hetuesit e huaj, duke përfshirë Këshillin e Evropës, EULEX-in, dhe prokurorët serbë të krimeve të luftës të përfshirë në hetimin e kësaj çështje. Ju lutem komentoni mbi dyshimet se shërbimi sekret shqiptar ishte përfshirë në ngjarjet e dyshuara të qershorit 1999 dhe se UÇK-ja shfrytëzonte objektet e paraburgimit në Shqipëri.
2. Ju lutemi të jepni një informacion mbi gjyqin në lidhje me zhdukjen e dyshuar me forcë të Remzi Hoxhës.
3. Ju lutemi të tregoni hapat e ndërmarrë për të hetuar shpërthimin në mars 2008 të municioneve në Gërdec, i cili vrau 26 njerëz. Ju lutemi të jepni informacion mbi reformat e zbatuara për të parandaluar incidente të ngjashme në të ardhmen.
4.Ju lutemi tregoni hapat e ndërmarrë për të hetuar vdekjen e Kosta Trebickës në vitin 2008.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›