Dobjani Prokurorisë: Të ndiqen penalisht policët për torturë
Zyrtarë të Policisë së kryeqytetit, pohojnë se rekomandimi nuk ka baza dhe informacione të sakta. Të arrestuarve iu dha ndihmë
TIRANË- Avokati i Popullit i "kërkon" prokurorisë ndjekjen penale ndaj dy agjentëve të policisë së Komisariati nr.2 shtetasve Alfons Gjoni dhe Klodian Bala për ushtrim "torture" ndaj të arrestuarve Pajtim Serjani, Enea Gega dhe Shamet Mejdani të akuzuar për "vrasjes të mbetur në tentativë ndaj efektivëve të policisë mbrëmjen e 29 dhjetorit të vitit 2009.
Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare pranë Avokatit të Popullit të cilët kanë dërguar në adresë të drejtuesit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë prokurorit Genti Xholi një rekomandim, ku i kërkon fillimin e hetimeve ndaj dy agjentëve të policisë. Një prej policëve, Alfons Gjoni, ka qenë edhe më parë, i proceduar.
Gjithsesi në lidhje me rastin në fjalë, Policia e kryeqytetit ka reaguar duke pohuar se informacionet mbi bazën e të cilave është bërë rekomandimi i Avokatit të Popullit, nuk janë të vërteta. Sipas rekomandimit të Avokatit të Popullit dy agjentët pas arrestimit të shtetasve Enea Gega, Shamet Mejdani dhe Pajtim Serjani kanë ushtruar dhunë ndaj këtij të fundit, i cili ka pësuar humbje ndjenjash disa herë brenda qelive të Komisariatit nga dhuna e ushtruar.
Për këto pretendime, i dyshuari për tentim vrasje të policëve ka siguruar edhe një akt-ekspertim mjekësore ku konstatohen goditjet me sende të forta. Në të kundërt, zyrtarë të Policisë së Tiranës, pohuan se asnjë nga rekomandimet e Avokatit të Popullit, nuk qëndrojnë pasi tre personat e shoqëruar tentuar të vrasin dy punonjësit e policisë dhe më pas një prej tyre, është futur poshtë makinës dhe më pas ka hedhur pistoletën duke pretenduar se nuk ishte e tij.
Sipas zyrtarëve të Policisë, jo vetëm që nuk është ushtruar dhunë mbi të arrestuarit, por pasi janë shoqëruar në komisariat ata janë larë dhe pastruar si dhe iu janë dhënë rroba të pastra për shkak se gjatë ndjekjes së policisë një prej tyre është future poshtë makinës ku edhe ishte bërë me baltë.
Gjithashtu, mësohet se duke shfrytëzuar këto të dhëna dhe rekomandimin e Avokatit të Popullit, të arrestuarit i janë drejtuar Gjykatës së Krimeve të Rënda për zëvendësimin e masës së sigurisë nga "arresti me burg" në një masë më të butë.
Sipas prokurorisë, tre të arrestuarit natën e 29 dhjetorit kanë qëlluar në drejtim të policisë me armë në rrugën "Irfan Tomini" duke refuzuar t'i ndalen policisë, për këtë ngjarje policia ka shpallur në kërkim edhe shtetasin Alban Rexha. Në lidhje me këtë çështje, Policia pohoi se ata i janë përgjigjur në mënyrë të saktë duke hedhur poshtë pretendimet e ngritura nga të dëmtuarit.