E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Serial killeri": Kam vrarë familjen, dua të vdes

Rrëfimi i vrasësit serial nga Librazhdi: Si vrava familjen time. Arrestohet e dashura që e kishte ndihmuar në krime

ELBASAN- "Serial killeri" i Librazhdit, Haki Mustafa, ka pranuar në gjykatë krimet e kryera dhe ka pohuar se tashmë do të vrasë veten. Dje në mesditë, në Gjykatën e rrethit Gjyqësor në Elbasan është dhënë masa e sigurisë së arrestit me burg për Haki Miskën, 50- vjeçarin nga Pervalli i Librazhdit.


Prokurori i çështjes, Binas Nina, ka ngritur ndaj tij akuzën e vrasjeve në rrethana cilësuese të dy ose më shumë personave të parashikuar nga neni 79 i Kodit Penal.


Gjyqtarja Idush Maliqi e ka cilësuar të drejtë këtë akuzë dhe ka vendosur masën e sigurisë së arrestit me burg për autorin.


Gjatë marrjes në pyetje Haki Miska ka pranuar tre nga katër vrasjet për të cilat akuzohet dhe tentativën e vrasjes së vajzës së tij Besiana Miska. Ai ka deklaruar para trupit gjykues se ndjehet fajtor dhe se duhet të vritet nga gjykata. "Kam bërë disa vrasje dhe dua të vdes.


Gjykata të më vrasë. Haki Miska nuk ka preferuar të mbrohet nga avokati. Gjatë marrjes në pyetje nga gjykatësja Idush Maliqi ai ka treguar se si i ka kryer vrasjet. "Gruan time Mimozën e vrava pasi ajo më tregoi se më tradhtonte me një burrë në fshat që quhet Xhevat Gjata. Kur u ktheva nga Greqia gjeta në dhomën e gjumit një palë këpucë. Kur ramë në gjumë filluam të grindeshim. Fillova ta qëlloj me grushte dhe shkelma pa mëshirë.


Nga dhimbjet ajo më tregoi duke më thënë se me kë më kishte tradhtuar. Në orët e para të mëngjesit e mbështolla me batanije dhe e dërgova tek vendi i quajtur Lugu i Miskut. Aty kam hapur një gropë dhe e futa në varr.


Në mëngjes fëmijëve u thashë që mami është larguar nga shtëpia dhe ka ikur në drejtim të paditur. Pas dy ditësh shkova në polici dhe kreva denoncim për zhdukjen e gruas. Askush nuk dyshoi , as policia dhe hetuesit nuk mundën të zbulonin", ka pohuar Haki Miska.


Ai ka dëshmuar se një vit më vonë ka masakruar ish- njerkun e tij Gani Brugu. "Ganiu ishte njerku im i martuar me nënën time Dije Brugu.


Një ditë i gjeta të dy duke punuar në parcelën time. U afrova dhe i thashë që kjo është toka ime. Por ai më tha se kam pjesën e gruas. U grindëm dhe unë nisa ta qëlloj me grushte dhe shkelma. E rraha rëndë duke e lënë pa ndjenja. Prezent ka qenë edhe nëna ime Dija.


Pastaj e morën dhe e çuan në spital. Pas katër ditësh vdiq në Tiranë. Në marrëveshje me nënën time dëshmuam në polici sikur ai ra nga kumbulla dhe koka i ra në gur", ka shpjeguar vrasësi.
Më pas Haki Mustafa ka treguar edhe vrasjen e tretë, atë të nënës së tij. "Nënën e vrava pse më hodhi kripë në gjellë.


Nëna me vajzën ishin në kasollen e bagëtive dhe erdhi e duke më sharë më hodhi një grusht me kripë në gjellë. Unë i hodha pjatën fytyrës. Vendosa të iki të pi një kafe në lokalin e fshatit.


Por kur po dilja ajo më qëlloi me një dru në kokë. Atëherë i nxehur mora sëpatën dhe e qëllova disa herë derisa vdiq. Në atë kohë vajza ndërhyri për ta shpëtuar. Por i nxehur qëllova edhe atë.


Pasi e vrava mora sëpatën të cilën e hodha 10 m larg shtëpisë. Pasi u fsheha në mal u afrova sërish afër shtëpisë duke qëndruar i fshehur në një kasolle. Aty mora rroba dhe ushqime dhe ika", ka treguar vrasësi serial.


Por Haki Miska ka mohuar që të jetë autor i vrasjes së mësuesit të fshatit Qamil Lluka. "Me sa kam dëgjuar ai ka rrëshqitur dhe ka rënë nga lartësia në humnerë. Kaq di për këtë ngjarje",- ka dëshmuar në gjykatë Haki Miska. Ndërkohë policia ka zbuluar edhe bashkëpunëtoren e "serial killerit" e cila është një grua 51 vjeçare që kishte lidhje me të.


Lefteri Alla është arrestuar nga policia pasi dyshohet se ka ndihmuar autorin e krimit pas vrasjes së nënës së tij. Ajo e ka ndihmuar ditën e arratisjes pas vrasjes së nënës së tij Haki Miskën duke e mbështetur në krimin e tij për vrasjen e nënës. Po hetohet nëse gruaja ka bashkëpunuar për vrasjet e tjera.


Aktualisht ajo dyshohet për fshehje të krimit dhe përkrahje të autorit të krimit. Gruaja nënë e tetë fëmijëve, jetonte në Prevallë dhe sipas policisë dyshohet se kishte një lidhje dashurore me autorin. Policia po punon për zbardhjen e rrethanave të bashkëpunimi të 51- vjeçares Alla në krimet e ndodhura.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›