E Shtunë, 31 Tetor 2026

OKB kërkon ndihmë për Kirgizinë

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon, ka bërë thirrje te qeveritë në mbarë botën, për të dhënë ndihmë në shumë prej 71 milionë dollarësh për lehtësimin e krizës humanitare në Kirgizi.

Ai u tha reporterëve se afro 300 mijë njerëz janë zhvendosur nga lufta në pjesën jugore të Kirgizisë, ndërsa më se 100 mijë e kanë kaluar kufirin dhe kanë arritur në Uzbekistan.

Sipas tij, dhjetëra mijëra të tjerë po përpiqen të largohen nga Kirgizia.

Raportohet se ka mungesa të theksuara të ushqimit, ujit dhe rrymës elektrike.

Ban Ki-Moon tha se ka kontaktuar me udhëheqësit e përkohshëm të Kirgizisë në përpjekje “për vendosjen e rendit, parandalimin e vrasjeve dhe ndihmë të koordinuar humanitare” në Kirgizi.

Udhëheqësja e përkohshme e Kirigizisë, Rosa Otunbayeva, më herët ka thënë se gati dy mijë vetë kanë humbur jetën në dhunën e javës së fundit në jug të vendit.

Kjo shifër është 10 herë më e lartë se sa ishte vlerësuar më parë.

Otunbayeva e vizitoi rajon me qëllim që të zbusë tendosjet e krijuara mes komuniteteve uzbeke dhe kirgize.

Duke folur para banorëve të Oshit të mbledhur në sheshin qendror, presidentja e përkohshme premtoi të rivendosë rendin dhe të rindërtojë qytetin.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›