E Shtunë, 31 Tetor 2026

OKB miraton sanksionet kundër Libisë

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka miratuar unanimisht rezolutën e sanksioneve kundër regjimit të udhëheqësit libian, Muamer Gadafi.

Rezoluta parasheh ndalesë udhëtimi dhe ngrirje të aseteve të Gadafit, të rrethit të tij të brendshëm dhe të anëtarëve të familjes.Ajo i bën thirrje Gjykatës Ndërkombëtare për Krime të hetojë shtypjen ndaj protestuesve antiqeveritarë dhe të ndjekë penalisht përgjegjësit për vrasjen e civilëve. Rezoluta po ashtu përfshin embargo të armëve.

Zëvendësambasadori i Libisë në Kombet e Bashkuara, Ibrahim Dabashi, tha se ky hap i Këshillit “do t`i japë përkrahje morale popullit që po reziston”.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Suzan Rajs, tha se komuniteti ndërkombëtar ka folur me një zë.

Votimi i OKB-së erdhi pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, për herë të parë i bëri thirrje Muamer Gadafit të japë dorëheqje.

Obama tha se lideri libian ka humbur legjitimitetin e tij duke përdorur dhunën masive kundër popullit.

Besohet se qindra civilë kanë humbur jëtën në protestat që i bëjnë thirrje Gadafit të largohet pas 42 vjetësh në pushtet.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›