OKB, rifillon ndihmat humanitare në Gaza

Kombet e Bashkuara kanë njoftuar për rifillimin e shpërndarjes së ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, pasi kanë marrë nga ana e Izraelit sigurinë për zhvillimin e operacioneve. Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë UNRRA, edhe pse kishte njoftuar për një situatë humanitare kritike në Gaza, pezulloi ditën e enjte operacionet e saj, pasi njëri kamionët e saj të ndihmave, u godit nga artilieria izraelite, duke lënë të vrarë shoferin palestinez. "UNRRA ka marrë sigurinë e mjaftueshme që siguria e personelit të OKB-së, të ndihmësve të saj dhe operacioneve humanitare do të respektohet plotësisht", janë shprehur zyrtarë të kësaj agjencie. Ndërkohë që Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka reduktuar të premten aktivitetet në Gaza, pasi njëri nga automjetet e tij u bë shenjestër e ushtrisë izraelite. Ndërkaq, Presidenti i autoritetit palestinez Mahmud Abas, i ka bërë thirrje nga Kajroja Izraelit dhe Hamasit për një armëpushim të menjëhershëm. "Izraeli duhet të pranojë planin franko - egjiptian, ose përndryshe duhet të mbajë përgjegjësinë e konfliktit në Gaza", ka deklaruar Abas, sipas të cilit edhe Hamasi duhet të pranojë me patjetër planin e paqes që sanksionon armëpushimin e menjëhershëm. Presidenti palestinez ka mbrojtur idenë e vendosjes së një force ndërkombëtare në Rripin e Gazës.