OPINION/ Duke kujtuar Totónë me Fernandelin...
Këtu e 50 vjet më parë,tamam si më këtë kohë, kinematë e Europës (më pas edhe ato të Tiranës) mbusheshin plot e përplot me spektatorë, për të ndjekur një nga filmat franko–italianë, që do të ngulitej pashqitshmërisht në kujtesën dhe zemrën e miliona njerëzve.
Do t’u qëndronte përjetësisht përpara syve dhe do t’u ushqente e stimulonte ndjenjat për të pasur një jetë gjithnjë e më të mirë, ku të mbizotëronte rregulli dhe drejtësia. ‘Ligji është ligj’ titullohej ky film, në të cilin figurat qendrore dhe të vetme interpretoheshin prej komikëve të mëdhenj, Fernandel dhe Totó, të cilët ndoshta edhe më shumë se në të gjitha rolet që kanë luajtur dhe pamjet që kanë marrë, arritën t’i bëjnë miqtë e ekranit të madh që të gajaseshin me zhurmë të fortë dhe, njëkohësisht, të mendonin në heshtje të thellë për mesazhin që merrnin. Për atë mesazh të rëndësishëm ndaj gjithë kohërave moderne të shoqërisë njerëzore, që në atë film merrte fill nga pasazhet e një miqësie të lindur ndërmjet doganierit të leshtë të një pike kufitare të humbur mes Alpeve dhe një kontrabandisti finok, i cili me hokatë e tij përpiqej t’ia treste vetminë dhe vëmendjen atij që kishte për detyrë të mos ia lejonte kalimin lumë të verërave nëpër damixhane.
Por, të kuptohemi, qëllimi i këtyre radhëve, pavarësisht ose edhe varësisht titullit të tyre, nuk është përkujtimi në mënyrë të veçantë i jetës dhe i veprës së këtyre dy artistëve të mëdhenj, por më shumë se kaq, për të hequr një paralele midis tharmit të atyre kilometrave celuloid dhe, pas gjysmë shekulli, hapave të shkurtra e të shtrembra të qeveritarëve tanë, deri te ato më të fundit që e shpien demokracinë e brishtë të këtij vendi drejt buzës së greminës. Kështu pra, le të ndalemi pakëz këtu te ‘Çështja Fazlliç’, që ka pushtuar mjediset e politikës, sallat e kafeneve, ekranet e televizioneve dhe faqet e gazetave, me gënjeshtra dhe të vërteta, fakte dhe sajesa, pohime dhe mohime, me deklarata dhe kundërdeklarata...Dhe, në këtë atmosferë të ndezur, ndoshta nuk do të bëhej i bezdisshëm botimi i një tjetër artikulli, pra i këtij në vijim, ku mund të sqaroheshin edhe një herë pozicionet e Prokurorisë, në zbatim të ligjit, dhe kërcëllitjet kërcënuese ndaj saj të Kryeministrit tonë me shokë, në mbrojtje të miqve dhe klanit të vet të shumëpërfolur.
Pas ndalimit apo shoqërimit të biznesmenit marifetçi dhe sekserit enigmatik të botës së krimit ballkanas në mjediset e policisë së vendlindjes së vet- Sarajevë, opozita shqiptare ngriti zërin e dyshimit edhe për lidhjet e tij me disa afera të fëlliqura të kryera në Shqipëri përgjatë harkut kohor tre vjeçar të qeverisjes së Sali Berishës & Co. Ky zë (akustika e të cilit forcohet për ditë e më shumë gjatë publikimit të disa dokumenteve kompromentuese) po përplaset me uturimat e stuhishme të Kreut të maxhorancës politike, i cili e identifikon fuqinë e tij, veç të tjerash, edhe me atë të Poseidonit homerik. Në fillim ai kërcënoi dhe shantazhoi (sipas normave të moralit politik të tij) deputetët kundërshtarë që kërkuan të hetohej miku i vet serbo – boshnjak, se mund ta sillte Demir Fazlliçin mu në Parlament, për t’ua zbardhur dosjet e krimit. Dhe, vërtet e solli, por në një studio televizive për të llomotitur të qena dhe të paqena. Ndërkohë, për mbrojtjen e tij gjatë pritjes dhe përcjelljes së rrufeshme vuri në dispozicion organet policore, që t’i pengonin përfaqësuesit e Prokurorisë për ta ftuar biznesmenin në dhënien e ca shpjegimeve. Atëherë, Kryeministri ynë iu vërsul organit të akuzës që kishte guxuar, sipas tij, të shkelte të drejtat e një njeriu të lirë në një vend të lirë, duke i hapur një dosje penale dhe duke ndërhyrë për t’i bërë një thirrje gojore.
Mirëpo, si shumë qytetarë të këtij vendi, edhe Kryeministri, madje aq më tepër ai, duhet ta dijë fare mirë, se në sferën e së drejtës, ashtu si në çdo fushë tjetër të dijes, sidomos në atë penale, faktet që merren me induksion shërbejnë për të formuar parakushtet për deduksione të tjera. I gjithë ky proces, në rastin e shumëdiskutuar fillon edhe kryesisht nga Prokuroria, edhe pa qenë nevoja e depozitimit të ndonjë denoncimi. Nis, gjithashtu, nga njoftimi i akteve të prokurorit gjatë hetimeve paraprake. Në rastet, si ky i fundit, kur tjetri mund të bëhet erë „lajmërimet e bëra verbalisht nga prokurori zëvendësojnë njoftimet, me kusht që ky fakt të shënohet në procesverbal”. Kështu parashikon Kodi i Procedurës Penale. Pra, kështu thotë ligji! Dhe, ligji është ligj, që duhet zbatuar medoemos, jo vetëm nga prokurorët, por edhe nga të gjitha organet shtetërore apo nga qytetarët e thjeshtë!
Por, me sa duket, pushtetarët tanë ende nuk janë përgatitur që të zbatojnë rigorozisht dhe në çdo rast normat juridike, por vetëm urdhrat arbitrare të shefit të tyre, hierarkisht dhe harakirisht në mënyrë vertikale. Me këtë metodë anakronike, të trashëguar prej regjimeve të moçme diktatoriale, mund të shpjegohen edhe veprimet e Ministrit të Brendshëm për të mos pranuar urdhrat gojore të prokurorëve. Si edhe, më keq akoma, ato të Ministrit të Drejtësisë për të dërguar urgjentisht një të premte mbrëma, kur kishte nisur weekend–i i përjavshëm, dy inspektorë të tij në Prokurorinë e Tiranës që të bllokonin atë që sot thirret ‘Dosja Fazlliç’.
Por ja që gjuha e njeriut, ashtu, masë opake siç është, shumë shpejt mund të dridhet e përdridhet, ndonjëherë duke shkaktuar edhe situata groteske. Prandaj, i ballafaquar me reagimet e ashpra të opinionit, i shkreti Ministër u shpreh se, inspektorët qenë dërguar në Prokurori për të kontrolluar dosjet e gjithë periudhës nga 1 shtatori deri më 10 tetor të këtij viti. Po pse në kohë pushimi xhanëm?! Ndërsa, Kryeministri e katranosi edhe më keq: kërkoi që, për ‘Çështjen Fazlliç’ të zhvillohet hetim ndërkombëtar. Më saktësisht, të ftohen prokurorë të huaj që të hetojnë përkrah prokurorëve shqiptarë. Po kush do t’i ftojë ata, Qeveria shqiptare (?!).
Merret vesh, se edhe për këtë çështje, si edhe për shumë të tjera të natyrave të ndryshme, Kreu i qeverisjes nuk do që të përfillë as Kushtetutën, e cila në nenin 148 të saj sanksionon që Prokuroria është i vetmi organ që ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit; që prokurorët janë të organizuar dhe funksionojnë pranë sistemit gjyqësor, brenda një organi të centralizuar; që prokurorët në ushtrimin e kompetencave të tyre u nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve; që edhe emërimi i një organi shtetëror nga një tjetër organ shtetëror, nuk e bën automatikisht organin e emëruar pjesë të atij pushteti ku përfshihet organi emërues. Në këtë kuptim, edhe nëse vërtet nevojitet ose jo prania gjatë ndonjë ndjekjeje penale konkrete e ekspertëve të huaj, kjo mbetet për t’u çmuar vetëm nga organi i akuzës. Madje, edhe nëse kërkohet dhe ftohet ndonjë i tillë, ky mund të marrë pjesë vetëm në rolin e konsulentit. Ndryshe nga ky parashikim ligjor, Prokurorja e Përgjithshme nuk mund të veprojë. Kështu thotë ligji, bile një Ligj përmbi ligjet.
Duke i hasur kështu Sali Berishës sharra në gozhdë, ashtu, i ndërkryer siç është shpesh herë për t’i dalë me çdo kusht dhe me çdo çmim e vetja, sidomos atëherë kur nuhat rrezikun e nxjerrjes së të palarave të tij dhe klanit që udhëheq, Berisha nuk e pati për gjë që jo vetëm të mos prapsej, por edhe të avanconte në pretendimet e veta. Konkretisht, duke kërkuar ngritjen e një komisioni parlamentar për të hetuar Kryeprokuroren Rama, pikërisht si fiks një vit më parë, kur ‚kryqëzohej’ në mënyrë antikushtetuese dhe ligjore ish Kryeprokurori Sollaku. Ndonëse, nuk ka dyshim që Kreu i maxhorancës kuvendore i mban mend arsyetimet e Gjykatës Kushtetuese, të cilat synojnë t’i vënë barrikadë Kuvendit, që ai të mos dalë jashtë natyrës dhe funksioneve të veta, që ai dhe asnjë pushtet tjetër të mos mund të krijojë gjykata të jashtëzakonshme, si forma të drejtësisë politike, të cilat kushtetutat e vendeve demokratike i ndalojnë shprehimisht dhe rreptësisht.
Në vijim të këtyre arsyetimeve mund të thuhet se, pushteti gjyqësor (pranë të cilit është atashuar Prokuroria) dallohet prej pushtetit legjislativ dhe atij ekzekutiv, veçanërisht për dy arsye. Së pari, nga nevoja për t’i ndarë kompetencat shtetërore në mënyrë që liria të mbrohet dhe të garantohet, duke u konsideruar ndarja e pushteteve si më e sigurt, më e pranueshme, më demokratike se sa ndarja në dy forca antagoniste. Së dyti, gjithashtu, nga nevoja që gjykatat dhe Prokuroria të kenë pavarësi të plotë që të kryejnë realisht funksionet e tyre. Madje, ideja themelore e studimeve të kohëve të fundit nga organizmat e Bashkimit Europian ka të bëjë me dhënien e peshës së duhur pushtetit gjyqësor midis organeve të tjera të larta të shtetit, duke i siguruar atij në mënyrë institucionale jo vetëm pavarësinë, por edhe barazinë me pushtetet e tjera.
Në këtë këndvështrim, tani që po bëhen dy vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim –Asociimit me BE–në, qëndrimet e mbajtura në Shqipëri, të reflektuara qartë edhe në një çështje të veçantë, siç është kjo që ka të bëjë me hetimin këtu të pronave të Fazlliçit, nuk mund të mos merren në konsideratë gjatë hartimit të tekstit të Progres – Raportit vjetor për vendin tonë, dokument i cili pritet të publikohet rreth datës 5 të muajit të ardhshëm. Me fjalë të tjera, nuk mund të presim veçse zgjatje afatesh dhe jo shkurtim të tyre, për të tërë parametrat përkatës si bazë e pranimit në bllokun e fuqishëm europian. Dhe, më keq akoma, me gjithë vërejtjet direkte të misionarëve perëndimorë mbi përkeqësimin e theksuar të qeverisjes së Sali Berishës dhe paralajmërimin e qeverive të tyre për monitorim rigoroz nga afër të gjendjes në Shqipëri, po krijohet një bindje e përgjithshme, se nuk mund të priten ndryshime të dukshme, në mos po thellim në dinamikë të aspekteve negative të jetës sonë. Prandaj ushtojnë gjithnjë e më fort thirrjet për largimin një or’e më parë nga pushteti të këtij Kryeministri. Sepse, më së pari, ai nuk përfill as parimet më elementare të shtetit të së drejtës, nuk do t’ia dijë aspak për forcën urdhëruese të ligjit.
Atë forcë që e shtyu më në fund doganierin e ngratë për t’iu vënë pas kontrabandistit pehlivan, duke tundur kokën dhe mërmëritur: “La loi c’est loi” (“Ligji është ligj”). Pikërisht me këtë skenë përfundonte ai film i paharruar. Por kurrsesi mesazhi i përçuar prej tij sot e kësaj dite.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)