E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bajerni pret sot Fiorentinën

Nga Altin Latifi
Bajern-Fiorentina është një nga ndeshjet kryesore që do të luhen sot në mbrëmje në Ligën e Kampioneve. Bavarezët kryesojnë grupin F me 4 pikë, ndërsa skuadra italiane ka vetëm 2 pikë, por mbetet gjithnjë e vështirë për t’u mundur. Klinsman shpreson në rikthimin e Luka Tonit për takimin e sotëm në Mynih. 

Bajerni ka ende në dyshim sulmuesin Luka Toni për ndeshjen e sotme kundër Fiorentinës. Toni pësoi një dëmtim në takimin e së shtunës ndaj Karlsruhes, por sipas trajnerit Jurgen Klinsman, mjekët i kanë dhënë atij shumë shanse për të qenë në fushë kundër ish-skuadrës së tij. Ndeshja e sotme do të jetë një sfidë italo-gjermane, por në kampin bavarez besojnë se do të dalin me 3 pikë në fund. “Ne kemi shumë respekt për Fiorentinën, që është një skuadër shumë e fortë në fushën e lojës”, deklaroi Klinsman. “Ata janë një ekip ofensiv, me shumë lojtarë të fuqishëm përpara, duke nisur nga Mutu dhe Xhilardino”, tha më tej trajneri i Bajernit. Megjithatë, sytë e të gjithëve sot në mbrëmje do të jenë te Luka Toni. Sulmuesi kaloi nga Fiorentina te Bajerni për shumën e 11 milionë eurove në verën e vitit 2007 dhe shënoi 24 gola në sezonin e parë në Bundesligë, duke u bërë kështu një nga lojtarët kryesorë të ekipit së bashku me Frenk Riberi. “Duhet të jemi shumë të kujdesshëm, pasi Fiorentina është një skuadër shumë e fortë dhe për pak fitoi në Lion”, deklaroi sulmuesi italian. “Pastaj ata kanë një trajner si Prandeli, që besoj na ka analizuar shumë mirë, kur sulmojmë dhe me sa futbollistë sulmojmë. Por, ne na duhet të fitojmë”, u shpreh më tej Luka Toni. Pas dy ndeshjesh Bajerni kryeson grupin F me 4 pikë, ndërsa Fiorentina dhe Lioni kanë nga 2.
(a.r/balkanweb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›