OSBE: Berisha e Rama të zgjidhin krizën

Reagon kryeministri Berisha: Ofrojmë gjithçka, por jo kutitë e votimit
TIRANË - Kur këtë të enjte pritet që Parlamenti të diskutojë e shqyrtojë për miratim nismat e opozitës për transparencën e zgjedhjeve të 28 Qershorit, shumica në pushtet nuk lëshon nga qëndrimi i saj standard, për të mos hapur kutitë e votimit.
Gjatë një takimi që Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje me të Dërguarin Special të organizmit të OSBE-ODIHR-it, dhe njëkohësisht zëvendësministrin e Jashtëm të Kazakistanit, Konstantin Zhigalov, i cili shoqërohej edhe nga ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Robert Bosh, është sjellë në vëmendje edhe kriza politike në vend.
Sipas njoftimit zyrtar të Kryeministrisë, bëhet e ditur se kreu i ekzekutivit, Berisha, ka qartësuar edhe një herë pozicionin e mazhorancës ndaj kërkesave të opozitës.
Në njoftim theksohet se shumica qeverisëse ka ofruar një sërë propozimesh për kompromis, që përfshijnë hetimin dhe hapjen e kutive mbi bazën e provave nga organi i akuzës, diskutimin dhe shqyrtimin e çështjeve të ndryshme midis Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste, por përjashtohen temat që prekin apo cenojnë pushtetin gjyqësor, që presupozon moshapjen e kutive të votimit.
"Gjatë takimit, Kryeministri bëri një përshkrim të situatës politike në vend duke vënë theksin tek propozimet për kompromis që mazhoranca i ka ofruar opozitës, të cilat përfshijnë hetimin dhe hapjen e kutive nga Prokuroria mbi bazë të provave, shqyrtim bilateral të çdo çështjeje, me përjashtim të atyre që kanë të bëjnë me gjyqësorin, si dhe pranimin e të gjitha amendamenteve të propozuara nga opozita, sipas rekomandimeve të OSBE/ODHIR dhe KiE, duke respektuar parimet kushtetuese dhe standardet ndërkombëtare",- thuhet në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë.
Megjithëse në takimin e zhvilluar me Kryeministrin Berisha, i dërguari i OSBE-së, Zhigalov, nuk ka shprehur asnjë qëndrim lidhur me krizën politike, por në konferencën e përbashkët për shtyp te zhvilluar me ministrin e Jashtëm Ilir Meta, ai ka adresuar një mesazh të qartë.
Duke iu referuar rolit dhe punës së misionit të OSBE-së në Shqipëri, Zhigalov theksoi se organizmi i OSBE-ODIHR-it kërkon që kriza politike të zgjidhet nga aktorët e klasës politike shqiptare. Sipas tij, përgjegjësia kryesore për zgjidhjen e ngërçit politik bie drejtpërdrejt mbi liderët politikë shqiptarë.
"Gjithsesi, përgjegjësia për të zgjidhur situatën e tanishme, në fund të fundit, bie mbi aktorët kombëtarë", - u shpreh Zhigalov. Ai theksoi se hyrja e Partisë Socialiste në Parlament, si dhe angazhimi i dy forcave politike për të marrë pjesë në komisionin hetimor parlamentar, është një iniciativë politike pozitive.
Por, zgjidhja e krizës politike sipas tij, është një çështje politike e brendshme dhe si e tillë, ajo duhet të zgjidhet nga lidershipi politik shqiptar, pa ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar. Zhigolov vuri në dukje se OSBE-ODIHR-i është i gatshëm të ndërhyjë për këtë situatë, vetëm nëse kërkohet nga klasa politike shqiptare.