E Shtunë, 31 Tetor 2026

Letra, NATO: Ligji për SHISH të shqyrtohet nga ne

Në letrën që NATO-ja i ka dërguar qeverisë shqiptare, kërkohet që drafti i fundit i qeverisë, para së të miratohet në Kuvend, të kalojë më parë nga ekspertiza e NATO-s


TIRANË - Drafti i fundit për Shërbimin Informativ Shtetëror i miratuar pak kohë më parë vetëm me votat e mazhorancës në Komisionin e Ligjeve ka vënë në lëvizje edhe vetë NATO-n, ku Shqipëria është anëtare me të drejta të plota. Pikërisht dje, qeveria shqiptare mësohet se ka marrë një letër nga zyra përgjegjëse e NATO-s për koordinimin global të sigurisë, i ashtuquajturi NOS.


Kjo zyrë i kërkon qeverisë shqiptare që projektligji i ri për SHISH-in (para së të miratohet në Kuvend) të kalojë më parë nga kjo zyrë, që përbëhet nga 3 degë: Orientimet e përgjithshme, Inteligjenca për sigurinë dhe Siguria e mbrojtjes.

Pikërisht ditën kur Komisioni i Sigurisë do të diskutonte në parim draftin në fjalë, qeveria shqiptare merr në dorë një letër nga zyra përgjegjëse e NATO-s për koordinimin global të sigurisë, i ashtuquajturi NOS. Edhe pse letra nuk bëhet publike, qëndrimi i fundit i partnerëve ndërkombëtare, përfshi këtu edhe deklaratën e ashpër të vetë Ambasadorit amerikan, Xhon Uidhers, nuk lë shumë për të diskutuar mbi përmbajtjen.


Pak ditë më parë, përmes një konference për shtyp, vetë Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Xhon Uidhers, deklaroi se drafti i miratuar për ndryshimet e fundit në ligjin për SHISH-in binte ndesh me standardet e NATO-s dhe po e çonte Shqipërinë në rrugë të gabuar.


Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe përfaqësues të opozitës, edhe pse deputetët nuk kanë marrë pjesë në seancat kur është diskutuar drafti në fjalë. Ndërkohë, qëndrimi i mazhorancës për këtë çështje mbetet thuajse i njëjtë. Komisioni i Sigurisë ka diskutuar dje në parim draftin në fjalë, ndërsa nuk ka ndërmend që të tërhiqet nga qëndrimi i saj gjatë shqyrtimit të sotëm nen për nen për sa kohë që përmes një njoftimi për shtyp, deputetët e djathtë, (të këtij komisioni) janë shprehur se ligji ishte konform standardeve ndërkombëtare.


Shumica e djathtë miratoi pak ditë më parë pa praninë e opozitës dhe në një seancë të mbyllur për mediat, ndryshimet në ligjin "Për Shërbimin Informativ Shtetëror", duke lënë si pjesë të draftit që do t'i paraqitet tashmë seancës plenare, thuajse pjesën më të madhe të dispozitave që përcaktojnë varësinë dhe kontrollin direkt të aktivitetit të këtij shërbimi nga Kryeministri.


Drafti i integruar edhe me amendamentet e SHISH-it përmban në vetvete thuajse të pandryshuar pikat që përcaktojnë detyrat e këtij shërbimi, ku natyrisht mbeten edhe kompetencat dhe të drejtat që ka kreu i qeverisë, si ndaj drejtorit ashtu edhe ndaj veprimtarisë së tij. Në draftin përfundimtar përpos mandatit 5-vjeçar që duhet te ketë Drejtori i SHISH-it është bërë edhe një përcaktim kohor për zgjedhjen e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të ri, procedura të cilat duhet të përfundojnë brenda dy muajve të parë nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›