OSBE: Dënojmë dhunën, gazetarët janë të lirë. SHBA: Ngjarje skandaloze, autorët para drejtësisë
TIRANE (UPDATE) - "Ne dënojmë të gjitha format e dhunës fizike, në veçanti atë drejtuar medias. Të gjithë gazetarët, pavarësisht nga ngjyrimi i tyre i perceptuar politik, duhet të lejohen që të kryejnë punën e përditshme pa pasur frikë nga hakmarrja fizike". Keshtu ka deklaruar ambasadori i OSBE ne vendin tone Robert Bosch, pas dhunimit te gazetarit Mero Baze.
Sipas tij, liria e medias është një parim kyç i çdo shoqërie moderne, të lirë dhe demokratike.
Ambasadori Robert Bosch mbështeti reagimet e presidentit dhe kryeministrit shqiptar, ndërsa nxit fuqishëm autoritetet përkatëse të vendit që të vënë përpara drejtësisë përgjegjësit e këtij akti të rëndë.
Ambasada e SHBA-së: Është cenuar rëndë liria e shtypit. Autorët para drejtësisë
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë ka reaguar ndaj dhunimit të gazetarit Baze, duke e quajtur të papranueshëm ngjarjen e rëndë.
"Ambasada e Shteteve të Bashkuara u skandalizua nga sulmi ndaj gazetarit Mero Baze më 2 nëntor", thuhet në njoftimin, përcjellë për mediat. "Sulmet fizike ndaj gazetarëve dhe forma të tjera të kanosjes së medias errësojnë lirinë e shtypit", vijon më tej ambasada e SHBA-së.
Ambasada përkrah thirrjen e Kryeministrit që autoritetet përkatëse të kryejnë një hetim të plotë dhe të shpejtë të këtij incidenti dhe që ata që janë përgjegjës të japin llogari.
"Ambasada e SHBA-ve do të vazhdojë të mbështesë me forcë lirinë e shtypit në Shqipëri", përfundon njoftimi.