E Diel, 1 Nëntor 2026

Unioni i Gazetarëve dënon dhunën ndaj Bazes


Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka dënuar sot dhunën e ushtruar mbrëmë ndaj gazetarit Mero Baze. Organizata i ka kërkuar policisë që pas denoncimit zyrtar dhe dëshmive të dhëna nga kolegu i dhunuar dhe dy kolegët e tjerë, të kryhen pa shmangie veprimet proceduriale.

Sipas Unionit të Gazetarëve Shqiptarë "ky akt dëshmon se gazetari shqiptar është i kërcënuar në çdo moment nga brutaliteti dhe dhuna fizike kriminale. Fakti që raste të tilla përsëriten dhe sidomos ndaj këtij kolegu, flet qartë për rritje të agresivitetit të personave me pasje dhe me pushtet ekonomik e financiar". Për Unionin "Mero Baze është dhunuar për shkak të detyrës dhe për këtë arsye, rasti në fjalë është akt dhunues dhe kërcënues për shkak të detyrës".

Të hënën në mbrëmje Mero Baze u godit në një lokal në qendër të Tiranës nga biznesmeni Rezart Taçi dhe truprojat e tij. Si pasojë e plagëve që mori nga përdorimi dhe i sendeve të forta ai e kaloi natën në spital, ku iu dha ndihmë mjekësore. Drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit, Hysni Burgaj e ka kontaktuar vetë gazetarin e dhunuar. Policia deri më tani ka ndaluar dy prej agresorëve të Mero Bazes dhe po punon për zbardhjen e asaj që ka ndodhur. Aktiviteti i biznesmenit Rezart Taçi dhe dyshimet per abuzimet me ligjin kanë qënë shpesh muajt e fundit në fokus të gazetës "Tema" dhe emisionit investigativ televiziv që drejtohen nga Mero Baze. Javën e kaluar Akademia e Vlerësimit Vjetor Radioteleviziv e shpalli emisionin "Faktor Plus" të Meros Baze, si emisionin më të mirë investigativ në mediat audiovizuale në Shqipëri. Në raportin më të fundit të organizatës "Reporterë pa kufij", Shqipëria vlerësohet si vendi me më pak liri të medias në rajonin e Ballkanit Perëndimor.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›