E Diel, 1 Nëntor 2026

OSBE-EURALIUS: Të votohet heqja e imunitetit, s’ka lidhje me reformën kushtetuese

14-09-2012 / Gazeta 55

Këshilli i Legjislacionit seancë dëgjimore me grupet e interesit për ndryshimet kushtetuese. Konstitucionalistët rrëzojnë PS-në: Paketa e propozimeve nuk është garanci për institucione cilësore drejtësie – do kohë dhe thellim

UPDATE- Këshilli i Legjislacionit nisi sot seancën dëgjimore me grupet e interesit dhe konstitucionalistë lidhur me shqyrtimin e propozimeve ligjore të Partisë Socialiste për ndryshimet në Kushtetutë. Këshilli i Lartë i Drejtësisë është shprehur kundër paketës së ndryshimeve të paraqitura nga socialistët për këtë institucion. Nënkryetari i KLD-së, Elvis Çefa, në mbledhjen e këshillit të Legjislacionit u shpreh kundër ndryshimeve për zgjedhjen e tre anëtarëve nga Kuvendi për në KLD. Kjo sipas tij do të sillte ngërçin politik dhe do të bllokonte Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Ndërsa Gjykata e Lartë e përfaqësuar nga këshilltari i Shpresa Beçajt u shprehën dakord për ndryshimet e kërkuara.
Gjykata Kushtetuese refuzoi të japë opinionin e saj rreth nismës ligjore të PS-së, duke ui shprehur se për të rëndësi ka të ruajë paanshmërinë. “Kjo gjykatë e ka të nevojshme të ruajë anësinë dhe maturinë e saj në dhënien e mendimeve paraprake në çështje të tilla që mund të kenë implikime në vendimmarrjen e saj të ardhshme. Ndaj ajo nuk mund të japë një mendim paraprak lidhur me propozimin e një grupi deputetësh”- thuhej në shkresën zyrtare që Gjykata Kushtetuese i ka përcjellë Këshillit të Legjislacionit.
Seanca dëgjimore me grupet e interesit u shty për 2 orë (për të rinisur në orën 11:30), pasi kreu i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali kërkoi pjesëmarrjen e ekspertëve  konstitucionalistë. Njohësit e ligjit themeltar të shtetit u shprehën mbi domosdoshmërinë e shmangies për momentin të propozimeve të tilla, që synojnë zgjedhjen me shumicë të cilësuar të organeve kushtetuese. Ajo kërkon kohë dhe thellim, pasi e formuluar sipas draftit të sotëm nuk zgjidh problematikën në drejtësi, nuk është garanci për institucione cilësore drejtësie. Por ajo që është më e rrezkishme-theksojnë ata është bllokimi që provokon kjo nismë, sipas eksperiencës së ngjashme të bllokimit më se dyvjeçar të zgjedhjes me 84 vota të Avokatit të Popullit, për arsye politike nga pakica parlamentare, në këtë rast Partia Socialiste. Prokuroria e Përgjithshme nuk ishte e pranishme në seancë dëgjimore, qoftë dhe me një mendim me shkrim nga organi i akuzës, po kështu edhe Avokati i Popullit.
Paketa kushtetuese e propozuar nga opozita lidhet me zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm, me shumicë të cilësuar. Kjo është seanca e tretë që dy trupat legjislative të Kuvendit zhvillojnë për nismën ligjore të paraqitur nga PS. Më 6 shtator u zhvillua seanca e parë, ku me kërkesë të mazhorancës u ra dakord shqyrtimi pas dy javësh i paketës së propozuar nga opozita, ndërsa më 11 shtator në seancën e dytë, u caktuan relatorët e të dy palëve që do merren me shqyrtimin e saj, Paulina Hoti e PD-së dhe Pandeli Majko i PS-së.

EURALIUS dhe OSBE: Imuniteti i ndarë nga paketa për reformën kushtetuese
Misioni i Bashkimit Europian që asiston drejtësinë shqiptare EURALIUS dhe Prezenca e OSBE-së bënë thirrje sot, për votimin sa më shpejt të reformës së imuniteteve, duke  i trajtuar ato si një çështje e veçantë nga ndryshimet e tjera kushtetuese të propozuara nga PS për reformën në drejtësi. Të thirrur në seancën dëgjimore në Këshillin e Legjislacionit dhe Komisionin e Ligjeve, përfaqësuesit e këtyre misioneve thanë se reforma në drejtësi kërkon kohë dhe debat të gjerë, për çfarë ata në këtë moment nuk mund të jepnin asistencë teknike. Përfaqësuesja e Prezencës së OSBE-së vlerësoi rëndësinë e këtyre propozimeve, pasi kanë të bëjnë me disa institucione të rëndësishme.
“Çështjet mund të shihen si pikënisje e rëndësishme. Ato janë thelbësore për besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë dhe shteti. Procedurat për votimin e gjykatësve të Gjykatës së Lartë dhe Prokurorisë janë të rëndësishme. Ndryshimet e propozuara mund të konsiderohen si pikënisje. OSBE është gati të ofrojë ekspertizën e saj në të ardhmen gjatë këtij diskutimi. Diskutimi duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe  kërkon kohë. Ato duhen sjellë të shkëputura nga çështjet e rëndësishme që janë në proces”, vlerësoi OSBE, lidhur me këtë çështje.
Po kështu dhe misioni EURALIUS i cilësoi këto propozime të rëndësishme, sepse lidhen me reformën në institucionet kryesore të funksionimit të vendit.
 “Diskutimi është një hap i mirë drejt reformës. Ndryshimi kërkon kohë dhe ndoshta pjesëmarrje më të madhe. Procesi duhet të vazhdojë me diskutime brenda vendit. Jemi të gatshëm të japin asistencën teknike.
Sipas nesh, diskutimi për reformën kushtetuese duhet të ndahet nga çështje të tjera, dua të theksoj imunitetin që është diskutuar. Sipas nesh, imuniteti duhet të miratohet sa më shpejt që është e mundur”, vlerësoi ky mision gjatë diskutimeve në Këshillin e Legjislacionit, mbi propozimet e PS.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›