E Shtunë, 31 Tetor 2026

OSBE-EURALIUS: Të votohet urgjentisht heqja e imunitetit

15-09-2012 / Gazeta 55

Përfaqësuesit e organizmave ndërkombëtare që ishin dje në seancën dëgjimore të organizuar nga parlamenti kërkuan miratimin me urgjencë të nismës për heqjen e imunitetit, si e vetmja mundësi për të çuar mesazhin e duhur tek BE-ja. Ata u kërkuan bllokatorëve socialistë ta ndajnë votimin e tij nga beteja juridike për paketën e re kushtetuese, meqenëse të dyja nismat s’kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën Këshilli i Legjislacionit zhvilloi dje seancën dëgjimore me grupet e interesit dhe konstitucionalistë lidhur me shqyrtimin e propozimeve ligjore të Partisë Socialiste për ndryshimet në Kushtetutë. Këshilli i Lartë i Drejtësisë është shprehur kundër paketës së ndryshimeve të paraqitura nga socialistët për këtë institucion. Nënkryetari i KLD-së, Elvis Çefa, në mbledhjen e këshillit të Legjislacionit u shpreh kundër ndryshimeve për zgjedhjen e tre anëtarëve nga Kuvendi për në KLD. Kjo sipas tij do të sillte ngërçin politik dhe do të bllokonte Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Ndërsa Gjykata e Lartë e përfaqësuar nga këshilltari i Shpresa Beçajt u shprehën dakord për ndryshimet e kërkuara. Gjykata Kushtetuese refuzoi të japë opinionin e saj rreth nismës ligjore të PS-së, duke u shprehur se për të rëndësi ka të ruajë paanshmërinë. “Kjo gjykatë e ka të nevojshme të ruajë anësinë dhe maturinë e saj në dhënien e mendimeve paraprake në çështje të tilla që mund të kenë implikime në vendimmarrjen e saj të ardhshme. Ndaj ajo nuk mund të japë një mendim paraprak lidhur me propozimin e një grupi deputetësh”, thuhej në shkresën zyrtare që Gjykata Kushtetuese i ka përcjellë Këshillit të Legjislacionit. Seanca dëgjimore me grupet e interesit u shty për 2 orë (për të rinisur në orën 11:30), pasi kreu i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali kërkoi pjesëmarrjen e ekspertëve  konstitucionalistë. Njohësit më në zë të ligjit themeltar të shtetit u shprehën mbi “domosdoshmërinë e shmangies për momentin të propozimeve të tilla, që synojnë zgjedhjen me shumicë të cilësuar të organeve kushtetuese”. “Ajo kërkon kohë dhe thellim, pasi e formuluar sipas draftit të sotëm nuk zgjidh problematikën në drejtësi, nuk është garanci për institucione cilësore drejtësie. Por ajo që është më e rrezikshme-theksojnë ata është bllokimi që provokon kjo nismë, sipas eksperiencës së ngjashme të bllokimit më se dyvjeçar të zgjedhjes me 84 vota të Avokatit të Popullit, për arsye politike nga pakica parlamentare, në këtë rast Partia Socialiste”, ishte argumenti i disa prej hartuesve të ligjit themeltar të shtetit. Prokuroria e Përgjithshme nuk ishte e pranishme në seancë dëgjimore, qoftë dhe me një mendim me shkrim nga organi i akuzës, po kështu edhe Avokati i Popullit. Paketa kushtetuese e propozuar nga opozita lidhet me zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm, me shumicë të cilësuar. Kjo është seanca e tretë që dy trupat legjislative të Kuvendit zhvillojnë për nismën ligjore të paraqitur nga PS. Më 6 shtator u zhvillua seanca e parë, ku me kërkesë të mazhorancës u ra dakord shqyrtimi pas dy javësh i paketës së propozuar nga opozita, ndërsa më 11 shtator në seancën e dytë, u caktuan relatorët e të dy palëve që do merren me shqyrtimin e saj, Paulina Hoti e PD-së dhe Pandeli Majko i PS-së. EURALIUS dhe OSBE Misioni i Bashkimit Evropian që asiston drejtësinë shqiptare EURALIUS dhe Prezenca e OSBE-së bënë thirrje dje, për votimin sa më shpejt të reformës së imuniteteve, duke  i trajtuar ato si një çështje e veçantë nga ndryshimet e tjera kushtetuese të propozuara nga PS për reformën në drejtësi. Të thirrur në seancën dëgjimore në Këshillin e Legjislacionit dhe Komisionin e Ligjeve, përfaqësuesit e këtyre misioneve thanë se reforma në drejtësi kërkon kohë dhe debat të gjerë, për çfarë ata në këtë moment nuk mund të jepnin asistencë teknike. Përfaqësuesja e OSBE-së kërkoi respektimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe garantimin e shtetit të së drejtës, ndërsa theks të veçantë i kushtoi miratimit në Kuvend të heqjes së imunitetit. “Ne vlerësojmë rëndësinë e diskutimit të këtyre nismave, duke pasur veçanërisht parasysh faktin se ato përqendrohen në reformën e disa prej institucioneve kushtetuese vendimtare”, u shpreh përfaqësuesja e OSBE-së në seancën dëgjimore. Sipas saj, “çështjet e ngritura në këto propozime mund të shihen si një pikënisje shumë e vlefshme e kësaj reforme, veçanërisht e sektorit të drejtësisë”. Në këtë kontekst, vijoi përfaqësuesja e OSBE-së, “sado që të flasim për pavarësinë e madhe të gjyqësorit dhe konceptit të shtetit të së drejtës, nuk mund ta ekzagjerojmë. Ato janë thelbësore për krijimin dhe garantimin e besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë dhe si rrjedhojë tek shteti. Procedurat e emërimit në Gjykatën e Lartë, në KLD dhe Prokurorinë e Përgjithshme janë të një rëndësie mjaft të madhe për garantimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe shtetit të së drejtës”, u shpreh përfaqësuesja e OSBE-së, duke shtuar se “në një sërë deklaratash të OSBE-së, të gjitha të nënshkruara nga Shqipëria, nënshkruesit janë angazhuar për të garantuar pavarësinë e gjyqësorit dhe shtetit të së drejtës”.  Përveç kësaj, vijoi përfaqësuesja e OSBE-së, “do të donim të përmendnim rekomandimet e Kievit për pavarësinë e gjyqësorit të hartuara nga OSBE në vitin 2010. Ky dokument përfshin rekomandime specifike për t’u siguruar që procedurat e emërimit të parandalojnë ndikimin e panevojshëm mbi gjyqësorin. Një mënyrë për ta arritur këtë, në kontekstin ndërkombëtar, është garantimi i kualifikimeve profesionale të gjyqtarëve, nga një komision i pavarura ekspertësh, ose një organ tjetër i pavarur nga KLD, që është organi i emërimit. Një gjyqësor i pavarur dhe synimi i shtetit të së drejtës janë idealet më të larta. Edhe për demokracitë më të zhvilluara, arritja e tyre përbën një sfidë. Modelet e ndryshme për reformimin e sistemit gjyqësor mund të jenë njësoj të vlefshme”, tha ajo. Po kështu dhe misioni EURALIUS i cilësoi këto propozime të rëndësishme, sepse lidhen me reformën në institucionet kryesore të funksionimit të vendit, por sikurse OSBE edhe misioni i BE për asistencë teknike u shpreh për “heqjen sa më shpejt të imunitetit të zyrtarëve të lartë. Diskutimet për reformën kushtetuese duhet të distancohen nga çështjet e tjera. Reforma në imunitete për nëpunësit shtetërorë është një çështje që është diskutuar aq gjatë dhe që, sipas nesh, duhet të miratohet sa më shpejt të jetë e mundur”, u shpreh përfaqësuesi i EURALIUS. Duke i konsideruar ndryshimet kushtetuese si detyrën më të rëndësishme që mund të ketë një anëtar i parlamentit, tha se ato janë jashtëzakonisht të rëndësishme pasi po studiojnë reformën më të rëndësishme gjyqësore të vendit. “Një nga qëllimet kryesore të kësaj reforme duhet të jetë garantimi i reformës gjyqësore dhe ulja e politizimit, siç thuhet në raport progresin e KE-së. Por, sfida kryesore mbetet në zbatim. Pavarësia e gjyqësorit është një sfidë që duhet arritur çdo ditë nga gjyqësori”, tha eksperti. “Diskutimet e para për këtë janë një hap i rëndësishëm për reformat që ju doni të ndërmerrni, ndërsa konfigurimi konstitucional i sistemit gjyqësor kërkon kohë dhe pjesëmarrje më të madhe sociale”, theksoi përfaqësuesi i EURALIUS, ndërsa shprehu gatishmërinë e misionit për ekspertizë teknike.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›