“OSBE-KQZ, bashkëpunim për zgjedhjet e vitit 2013, Kryeprokurori i ri personalitet i kualifikuar dhe i paanshëm”

Kreu i OSBE, Eugen Wollfarth takon kryetaren e KQZ, Lefterie Lleshi dhe nënkryetarin Denar Biba
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth takoi paraditen e djeshme kryetaren Lefteri Lleshi dhe nënkryetarin Denar Biba në ambientet e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ). Zgjedhjet e 2013-ës ishin temë e këtij takimi, ndërkohë që OSBE ka apeluar më parë për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në vend.
Në një prononcim për mediat, pas takimit Wollfarth apeloi që është shumë e rëndësishme të mbahet një frymë bashkëpunimi teknik, ndërkohë që shprehu besimin që ekzistojnë përbërësit për zgjedhje të mira. “Në fakt është shumë e rëndësishme për zgjedhjet e 2013 të ekzistojë një frymë e mirë e bashkëpunimi teknik. Pas këtij takimi jam i bindur se ekzistojnë ingredientët më të mirë që ata të japin zgjedhjet më të mira të mundshme vendit. Pritet të vijnë vëzhguesit nga ODIHR për zgjedhjet e 2013-ës, dhe së bashku me prezencën e OSBE-së janë disa projekte duke u diskutuar. Në fakt kjo mbështetja për KQZ-në përbën edhe elementët e ndihmës, teknike. Sic thashë jam i bindur se do ketë përgatitje shumë të mira dhe mendoj se elementi më i mirë është fryma e bashkëpunimit dhe unë mendoj se është”, deklaroi Wollfarth.
Ky është takimi i parë që ambasadori Wollfarth zhvillon me krerët e këtij institucioni pasi Kuvendi miratoi vetëm me votat e mazhorancës në seancën plenare të 11 tetorit kryetarin e ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) Lefteri Lleshin.
I pyetur rreth debatit më të fundit për zgjedhjen e kreut të ri të organit të akuzës, ambasadori i OSBE-së tha se duhet gjetur një figurë e paanshme. “Kryeprokurori i ri duhet të jetë një personalitet i kualifikuar, i paanshëm dhe neutral. Le të shohim diskutimet që po vazhdojnë dhe mënyra si do të interpretohet Kushtetuta për këtë. Kam besim se do të gjendet një zgjidhje e mirë. Por, ajo që është më e rëndësishme është gjetja e një personaliteti të kualifikuar që do ta bënte punën e prokurorit të përgjithshëm në mënyrë neutrale dhe të paanshme”, theksoi Wollfarth.
Ambasadori i OSBE, duke u përfshirë në debatin për zgjedhjen e kreut të ri të organit të akuzës, deklaroi pak kohë më parë se momenti më i përshtatshëm për zgjedhjen e pasardhësit të Ina Ramës është maji i vitit 2013-të. Ndërkohë, që i ka kujtuar njëherazi klasës politike shqiptare që këtë çështje të mos e përdorë në fushatën elektorale të vitit 2013.