“Shqipëria dëshiron të hyjë në BE si kontributor dhe jo si konsumator”

Presidenti Nishani dhe Kryeministri Sali Berisha presin në takime të veçanta Kryetarin e Parlamentit të Danimarkës, Mogens Lykketoft dhe Delegacionin Parlamentar danez
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti dje në një takim Kryetarin e Parlamentit të Mbretërisë së Danimarkës, Mogens Lykketoft, dhe Delegacionin Parlamentar që kryeson gjatë vizitës zyrtare në vendin tonë.
Presidenti Nishani shprehu mirënjohjen dhe falënderimin për mbështetjen që Danimarka dhe qeveria e populli danez i kanë dhënë Shqipërisë në përparimin dhe demokratizimin e institucioneve, anëtarësimin në NATO dhe liberalizimin e vizave.
Në vijim, Kreu i Shtetit e vlerësoi marrjen e statusit të vendit kandidat si një moment inkurajimi për Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare në vazhdimin e reformave, pavarësisht kostos së tyre. “Shqipëria dëshiron të hyjë në Bashkimin Evropian si kontributor dhe jo si konsumator”, u shpreh Presidenti Nishani gjatë takimit.
Kryetari i Parlamentit të Danimarkës, Mogens Lykketoft shprehu admirimin e tij për arritjet e Shqipërisë gjatë dy dekadave të demokracisë së re shqiptare.
Lykketoft theksoi rolin e Danimarkës në mbështetje të politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian duke e mbështetur gjykimin e tij në dy momente kryesore se, Kriteret e Kopenhagenit në vitin 1993 dhe zgjerimi më i madh i Bashkimit Evropian në vendet e Evropës Juglindore në 2002-in kanë ndodhur gjatë presidencave daneze të Këshillit të Evropës. Të dy bashkëbiseduesit ranë dakord se do të vazhdojnë bashkëpunimin e tyre për zgjerimin e BE-së drejt Ballkanit Perëndimor dhe veçanërisht për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Berisha: Qeveria do realizojë çdo reformë për integrimin e vendit në BE
Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje një takim me kryetarin e parlamentit te Danimarkës, Mogens Lykketoft dhe delegacionin që e shoqëronte. Kreu i qeverisë e vlerësoi këtë vizitë si një kontribut tjetër të rëndësishëm, në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Danimarkës.
Nga ana e tij, Lykketoft shprehu vlerësimet e tij për transformimin rrënjësor të ndodhur gjatë këtyre viteve në Shqipëri. Në takim u rikonfirmuan marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes dy vendeve dhe vullneti i të dy palëve për t’i konsoliduar edhe më tej ato dhe bashkëpunimin frytdhënës në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.
Kryeministri Berisha e falenderoi Kryetarin e Parlamentit të Danimarkës për mbështetjen e vazhdueshme dhe për ndihmën bujare që Danimarka i ka dhënë Shqipërisë gjatë kësaj periudhe në të gjitha përpjekjet e saj për të konsoliduar demokracinë, shtetin ligjor dhe ekonominë e tregut, si dhe anëtarësimin në NATO dhe integrimin e shpejtë në BE. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha e njohu Lykketoft me refomat dhe arritjet e qeverisë shqiptare në të gjitha fushat si, zhvillimi ekonomik me ritme të shpejta, konsolidimi i shtetit ligjor, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, modernizmi dhe dixhitalizmi i procedurave, etj. Kryeministri u shpreh se Shqipëria ka një sërë treguesish të rëndësishëm që e rendisin atë, krah vendeve të zhvilluar të Evropës, për sa i përket nivelit të ulët të vdekshmërisë, foshnjore, amtare dhe në tërësi, numrit të banesave për frymë, aksesit në shërbimit shëndetësor apo arsimor, etj.
Kryeministri Berisha e siguroi Lykketoft për angazhimin e qeverisë shqiptare për të realizuar çdo reformë që Shqipëria të ecë përpara drejt anëtarësimit në BE, projektit më madhor për shqiptarët në këtë shekull. Lykketoft i shprehu vlerësimin më të lartë Kryeministrit Berisha për të gjitha këto arritje, duke e siguruar atë, se Danimarka do të vijojë të jetë një përkrahëse dhe mbështetëse e fuqishme e projekteve të Shqipërisë për integrimin në BE.
Në këtë kontekst, u shpreh Lykketoft, Danimarka do të mbështesë çdo lloj propozimi pozitiv që KE do ti japë për hapa të mëtejshëm integrimit të Shqipërisë në BE. Në takim u rikonfirmua gjithashtu vendosmëria e të dy vendeve për të nxitur investimet reciproke në veçanti, investitorët danezë për të shfrytëzuar potencialet e rëndësishme dhe klimën e favorshme të krijuar nga qeveria shqiptare për biznese dhe investime.