OSBE: Kushtetuta është siç duhet, politika të merret me Kodin Zgjedhor

Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth bën thirrje publike që klasa politike të angazhohet për rishikimin e Kodit Zgjedhor dhe jo të kushtëzojë miratimin e reformave me një paketë ndryshimesh në kushtetutë, e cila për momentin shfaqet si e plotësuar dhe që s’pengon integrimin e vendit në BE
Kreu i Prezencës së OSBE-së në vendin tonë, ambasadori Eugen Wollfarth, u shpreh dje se Kodi Zgjedhor ka nevojë për rishikime në mënyrë që të jetë i aplikueshëm për proceset e ardhshme zgjedhore. Në një prononcim për mediat nga Korça, Kreu i OSBE-së theksoi se duhen riparë me imtësi rekomandimet e ODIHR-it. Wollfarth u ka bërë thirrje forcave politike të nisin dialogun për reformën zgjedhore. Ai theksoi se reforma zgjedhore duhet të jetë e gjerë, madje të përfshijë dhe institucione si parlamenti. “Presim një reformë të gjerë që të nisë nga parlamenti” - tha ai. Kreu i OSBE-së, gjithashtu theksoi se partitë politike duhet të bëjnë kujdes me ndryshimet në Kushtetutë. Kjo pasi siç tha ambasadori Wollfarth, Kushtetuta është dokument themeltar dhe nuk mund të jetë kurdo herë në qendër të eksesit të politikës. “Çdo vend bën kujdes të madh kur bën ndryshimet kushtetuese”- theksoi ai, ndërsa solli në vëmendje se ndërhyrja në kushtetutë bëhet pas një studimi të mirëfilltë juridik dhe jo vetëm nisur nga deklaratat politike. Ndërkohë, Wollfarth përsëriti apelin për dialog në politikës shqiptare. “Partitë të gjejnë gjuhën e përbashkët. Në bisedime për Kodin dhe reformën të hyjnë dhe partitë e vogla. Konsensusi arrihet vetëm përmes dialogut në parlament”, përfundoi prononcimin e tij, kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wollfarth.
Ndërkohë, dy ditë më parë, ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Carola Myler Holtkemper deklaroi se forcat politike duhet të bashkëpunojnë për të hartuar një Kod të ri Zgjedhor, si dhe përsëriti apelin për dialogun politik. “Apeli është ai që përsëritet në formën e ripërsëritur, të gurit të mullirit që bluan, për të gjetur konsensus për reforma të cilat do të shtynin përpara përparimin e Shqipërisë në drejtimin e duhur”- ka thënë Carola Müller-Holtkemper. Brukseli këmbëngul në rikthimin e dialogut parlamentar dhe nisjen e reformave të rëndësishme, me qëllim që, Shqipëria të siglojë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian, brenda këtij viti. Emergjente nga Bashkimi Evropian duket reforma elektorale dhe realizimi i 12 rekomandimeve të Komisionit Evropian, të cilat kërkojnë edhe votën e opozitës në Kuvend. Përsa i takon ndryshimeve Kushtetuese, të kërkuara këto jo zyrtarisht nga Partia Socialiste, zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian, e shohin të pavend një nismë të tillë, porsa kohë Shqipërisë i kërkohen reforma për integrimin Evropian dhe jo për mbijetesë politike të një apo disa liderëve politik.
Neritan Ceka: Kushtetuta nuk duhet ndryshuar vetëm sepse këtë e kërkon Edi Rama
“Kushtetuta nuk duhet të ndryshohet vetëm sepse këtë e kërkon kryesocialisti, Edi Rama”. Kështu është shprehur dje gjatë një prononcimi për mediat, kryetari i Partisë Aleanca Demokratike, Neritan Ceka. Ceka thotë se “Kushtetuta e vendit nuk ka nevojë për tu ndryshuar”. Pas LSI-së, e cila artikulon me vendosmëri faktin se vendi nuk ka nevojë për ndryshime Kushtetuese por për reforma të tjera me qëllim marrjen e statusit të vendit kandidat, ky është qëndrimi që mbajnë edhe aleatët e tjerë të mazhorancës qeverisëse. “Ka vetëm tre vjet që është ndryshuar Kushtetuta dhe aktualisht nuk ka asnjë nevojë. Mbi të gjitha nuk ka as vullnet politik për ta bërë këtë gjë. Madje për mua është absurde që të kërkosh që pasi e përcaktove vetë që Presidenti i Republikës mund të zgjidhet edhe me shumicë të thjeshtë, pasi nuk mund të vendosë në vështirësi vendin, tashmë të ndërrosh mendje”- shprehet Ceka. Duke vënë në dukje se rikthimi në Kushtetutë i zgjedhjes së kreut të shtetit me shumicë të cilësuar, nuk është gjë tjetër veçse një pengesë për vendin, kreu i PAD-së thekson se “tashmë kjo çështje është e zgjidhur. Unë mendoj se kriza politike që ka përfshirë PS-në, nuk mund të zgjidhet në kurriz të popullit shqiptar, sepse në fund të fundit është ai që i paguan kostot”. Ai shton se nuk ka asnjë arsye për pretendime të tilla për një ligj, i cili vetëm tre vite më parë u ndryshua me konsensus të plotë politik dhe mbështetjen e të gjithë opozitës. Duke cilësuar të domosdoshme realizimin e reformës zgjedhore, Neritan Ceka nënvizon se çështja më e rëndësishme që duhet të zgjidhet në procesin zgjedhor është numërimi i votave. “Ashtu siç rezultoi edhe nga zgjedhjet e fundit të pushtetit lokal, problemi më i madh në zgjedhje duket se është procesi i numërimit të votave”- tha Ceka, ndërsa thekson faktin se në një situatë të tillë, ku vonesa të gjata karakterizuan procesin, forcat politike duhet të mos jenë pjesë e këtij procesi. Ai shprehet se “në mënyrë absolute, partitë politike duhet të largohen përfundimisht nga menaxhimi i procesit të numërimit të votave i cili duhet të jetë elektronik”. Pas zgjedhjeve vendore të 8 majit, lideri socialist artikuloi qartazi qëndrimin e tij për ndryshime Kushtetuese për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës duke propozuar që ky i fundit të zgjidhet me një shumicë të cilësuar prej 84 votash, jo pas disa votimesh edhe me 71 vota siç është e përcaktuar në Kushtetutë.
Dashnor Sula: Kushtetuta s’mund të ndryshohet çdo 2-3 vjet
Deputeti i Partisë Demokratike dhe anëtar i Komisionit parlamentar të Ligjeve, Dashnor Sula, shprehet kundër ndryshimeve në Kushtetutë. Sipas tij, ligji themeltar i shtetit nuk mund të ndryshohet çdo 2-3 vjet sipas interesave politike të lidershipit të selisë rozë.
Ligjvënësi demokrat kujton se ndryshimet e vitit 2008 u kryen për shkak të ndryshimit të sistemit zgjedhor në vend. Ai solli në vëmendje se ndryshimet Kushtetuese të vitit 2008-ë u bënë në mënyrë konsensuale mes dy forcave më të mëdha politike, pasi vetëm pak muaj më vonë do të konkretizohej edhe reforma e re zgjedhore, nga mazhoritaro-proporcional, në proporcional-rajon. Deputeti Sula shton gjithashtu se lidershipi i selisë rozë, s’ka argumentet e duhura për të kërkuar reformë në “Kushtetuese”. Sipas tij, angazhimi i këtij misioni ligjor, është i destinuar të dështojë dhe të mos jetë rezultativ, pasi ndërhyrjet në ligjin themeltar të shtetit bëhen në mënyrë të studiuar dhe jo në mënyrë ciklike siç kërkon ta imponojë selia rozë.