E Shtunë, 31 Tetor 2026

Humbësi Rama dhe kongresi ideal “Dy duar për një kokë”

13-08-2011 / Nga Luan Myftiu

E keqja i shqyen dyert. Madje, ajo nuk vjen as vetëm. Pas humbjes së bashkisë Ramën e kërcënon dorëheqja. Alibia e “krizave” u dogj. U dogjën dhe gënjeshtrat për turma të rebeluara, që mund të dinin jashtë kontrollit. U doli boja bojkoteve të zgjatura, bllokimeve të qëllimshme, kanibalizmave zgjedhorë. Humbjet e njëpasnjëshme janë kokëforta. Ato kërkojnë fajtorin. Kurse Rama tenton përsërí të fshihet prapa ndryshimeve kushtetuese. Të krijojë “kushte” për ankimime të reja, për “fije kashte”, ku të mbahet; për  ëndrra në diell, ku të shpresojë; për qiqra në hell, të mbijetojë. Mirëpo, PS-ja nuk u krijua për t’u ankuar kafeneve, për “shou” me goma të djegura, për t’u tundur gishtin ndërkombëtarëve. Nuk u krijuar PS-ja për të ringritur kultin e individit, për të bllokuar zhvillimin, për t’u hakmarrë ndaj demokracísë. Nuk u krijua ajo për t’u tallur me parlamentarizmin, për të penguar liberalizimin e vizave dhe integrimin. Përkundrazi! Se jo rastësisht doli LSI-ja, ithtare e integrimi të Shqipërísë në strukturat europiane. Shkurt, kur PS-ja lufton për të marrë pushtetin, Rama, neobllokmenët dhe biznesmenët pa ideale, gatuar me nostalgjítë për komunizmin, ia kanë djegur shanset për të ardhur demokratikisht në pushtet. Se dhe në PS ka njerëz të ndershëm, personalitete që nuk tallen me veten, kur mohojnë të kaluarën; që nuk bëjnë hipokrizí, kur shfaqin mendime ndryshe; që nuk vënë interesat partiake mbi ato kombëtare. Mirëpo Rama dhe neobllokmenët nuk janë çliruar nga mentaliteteti i marrjes së pushtetit me dhunë, nga akuzat false ndaj kundërshtarit, nga nihilizmi “revolucionar”, nga shpifjet, trillimet, nga bojkotet e paarsyeshme dhe bllokimet e qëllimshme; nga fryma e izolimit, e konfliktit, e mungesës së vullnetit për dialog, nga “uni” i drejtuesit, nga metodat e përjashtimit, e krijimit të “armiqve” imagjinarë! Bunkerizimi i jetës së partisë, pra, ua ka shuar socialistëve shpresat për të ardhur në pushtet, aq sa dhe vetë po tallen me “fitoret” e Ramës, duke profetizuar me shprehjen se Rama do t’u kurorëzoka “Kur të hipë gomari në fik!”. Atëherë, ç’të bëjë Rama veçse të japë dorëheqje? Ç’të sajojë veç “dajákut”? Kjo paskësh qenë ajo “rruga e vetme”, që ai proklamoi me aq pasion? Po a mund të vetëlargohet Rama? A mund ta braktisë ambicia lavdinë? A mund të mohojë megalomanía “altarin”? Po si mund të pranojë paaftësía të mos bjerë në delir prej adhurímit? Si mund t’i shmanget fitimit të padrejtë ai që të gjitha humbjet i quajti fitore? Ai që poshtëroi si militantët, edhe deputetët, duke i urdhëruar të “fluturonin” mbi kokat e policëve? Ai që kërkoi hapjen e kutive në 98-n dhe mbylljen e tyre në 2011-ën? Mirëpo befas dalin të tjera pyetje: si të qëndrojë Rama në krye të partisë, kur nuk fitoi një palë zgjedhje? Kur përçau të majtën dhe braktisi parlamentin? Kur nuk u premtoi asgjë të majtëve dhe Shqipërísë? Mos, vallë, prandaj, i mbetur në hall, i kujtohet thënia popullore: “S’më lënë këmborët e mia, të dëgjoj zilet e tua”. Po le ta shohim problemin nga një kënd tjetër. Ta zëmë se Rama zgjohet një mëngjes i penduar dhe kërkon t’i mbajë vetë përgjegjësitë e humbjeve. Kush do ta linte të jepte dorëheqje? Jo! Rama nuk i përket vetes. Ai është marrë “peng”, ndaj nuk e nxjerr dot bishtin nga istikami. Se, ku e lënë atë të dorëhiqet biznesmenët xhahílë, që udhëhiqen nga parími komunist: “Nëm të të jap!” Ku e lëshojnë xhelatët, që e zgjodhën për t’i mbrojtur nga akuzat e antikomunistëve? Ku i hapin atij rrugë të paaftët, që i bëri deputetë. Ku e pranojnë atë të penduar servilët, që derdhën lumenj lotësh krokodíli, tek dëgjonin fjalimet e tij patetike? Jo! Rama nuk e jep dot dorëheqjen, prandaj po vë “kushte” për ndryshimet e Kushtetutës. Prandaj kërkon asprën e Nastradinit. Se, dhe i humbur Rama kërkon të diktojë. Dhe fajtor kërkon t’i falen mëkatet. Prandaj duket sikur thotë: “O më mbani kryetar, o do t’ju bëj hatanë!”. O ndryshoni Kushtetutën, prishni shtetin, vëríni zjarrin demokracisë, o më mbani mua në krye të partisë!”. Mirëpo, a bien të gjithë në një mendje me të? A i mohojnë socialistët e ndershëm interesat kombëtare pse synon të behet Rama kryeministër? Të rimarrë bashkinë dhe të lakmojë presidencën? Dhe kur i do këto? Kur Shqipëría kërkon plotësimin e kushteve për të hyrë në BE. “Háne Shan, háne Bagdad!”- thotë një fjalë e urtë. Ku i rreh çekani Ramës dhe çfarë synon Shqipëría ! NËNOKES i digjet mjekra, Rama i thotë: “Prit të ndez cigáren!”. Prandaj, duke mos pasur rrugë tjetër, ai ka zgjedhur atë “të vetmen”. Dhe, meqë Kongresi i partisë po afron, Rama ka nisur  të përzgjedhë kongresmenët. Po kongresmenë tamám, jo llafe! Të tillë, që pas fjalës së Ramës, të mos dinë të pushojnë së ulëríturi me emrin e Ramës! Madje, të porositur, t’i vazhdojnë britmat, edhe kur Rama të bëjë sikur t’u lutet që të pushojnë. Prandaj ka shpërndarë “kaçatorët” nëpër rrethe. Prandaj ka dërguar mijëra sms-ra dhe prandaj po hesht si peshku. Se, ai që di të bëjë shtambën, di t’i vërë edhe vegjën. E Rama kërkon kështu të fshehë makthin, alarmin dhe gjithë shqetësímet, që e kanë zënë. Ndërkohë Shqipëría e zgjuar nënqesh fisnikërisht. Ajo nuk tundet nga aspirata e integrimit dhe kërkon me ngulm plotësímin e kushteve të ndërkombëtarëve. Se ja dhe ku po vjen Kongresi, në të cilin do të përplaset gjigandi (Shqipëría e majtë!) me një liliput ambicioz. Po Rama do ta luajë “kartën” e fundit. Do përpiqet ta shndërrojë Kongresin në një gjykatë speciale, ku të dridhet foshnja në barkun e nënën. Ku ithtarët e mendimit ndryshe të kërkojnë të dalin nga dritaret. Ku britmat e kongresmenëve t’i mbeten dëshmí Historisë, si frymë e gjallë e sistemit të “kopaçes”!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›