OSBE: Shtetet të sigurojnë lirinë e fjalës
Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), kërkon nga 56 qeveritë e shteteve anëtare, që të ndërmarrin hapa realë në sigurimin e lirisë së fjalës.
“Të gjitha shtetet pjesëmarrëse në OSBE duhet të tregojnë përkushtim për vlerat e tyre demokratike duke vepruar e jo vetëm me fjalë”, tha Dunja Mijatoviç, përfaqësuese e OSBE-së për Liri të Mediave, në Tunizi, në një konferencë ndërkomnbëtare, ku shënohet Dita Botërore e Lirisë së Shtypit.
Më tej ajo theksoi se “autoritetet duhet ta bëjnë të qartë se sulmet dhe presionet psikike ndaj reporterëve, vrasjet e pazgjidhura, arrestimet arbitrare dhe burgosjet dhe ligjet drakoniane për shtyp, që e instalojnë censurën në Internet dhe jashtë tij, nuk kanë vend në shoqëritë moderne, që synojnë progres dhe prosperitet”, ka njoftuar OSBE.
Dunja Mijatoviç shtoi gjithashtu se “të 56 shtetet pjesëmarrëse duhet të mbrojnë lirinë e mediave si element vital, jo vetëm më 3 maj”.