OSBE: Të plotësohet KQZ, si parakusht për zgjedhje të lira
Shefi i OSBE, Lamberto Zanier, në një intervistë mediatike i bëri thirrje opozitës që të plotësojë vendet vakante të KQZ, si një parakusht për zgjedhjet, por edhe si një ndihmë për misionin e gjerë vëzhgues që organizata do të nisë në Shqipëri
Shefi i OSBE –se Lamberto Zanier, në një prononcim për mediat shqiptare në Bruksel, shprehet se Kodi Zgjedhor i Shqipërisë përbën një bazë të shëndoshë për të zhvilluar zgjedhje demokratike dhe për t’i dhënë përgjigje çështjes se anëtarësisë së plote të KQZ-së, e cila u krijua pas dorëheqjes se tre anëtarëve të propozuar nga partitë e opozitës. Ai kërkon që të gjitha palët të kontribuojnë për një proces elektoral legjitim e të besueshëm, duke nisur së pari me sigurimin e një KQZ-së me anëtarësi të plotë e domethënëse.
“Zyra jonë për të drejtat e njeriut dhe institucionet demokratike në Varshavë ka dalë me një sërë rekomandimesh që kanë të bëjnë me kodin zgjedhor. Këto rekomandime në fakt i janë bashkangjitur legjislacionit të ri, çka ne e kemi vlerësuar pozitivisht. Edhe më pozitiv është fakti që legjislacioni i ri kaloi me marrëveshjen e të gjitha forcave kyçe politike në Shqipëri. Kështu ka balancim dhe një mbështetje të fortë për kodin. Pra vlerësimi është pozitiv. Sigurisht kemi çështjen e përbërjes së Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, çka ka krijuar shqetësime kohët e fundit. Këtë e diskutova edhe me kreun e opozitës Edi Rama, i cili së fundi vizitoi Vjenën. “Unë do të doja të theksoja pritshmërinë tonë që të gjitha palët të kontribuojnë për një proces elektoral legjitim dhe të besueshëm, duke filluar së pari me sigurimin e një KQZ-je me anëtarësi të plotë e domethënëse”.
Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-se thotë se kjo organizatë do të ketë një nivel të zgjeruar përfaqësimi në zgjedhjet e 23 qershorit, duke iu përgjigjur në këtë mënyrë kërkesës së qeverisë shqiptare. “Qeveria shqiptare bëri një ftesë dhe kjo në fakt është në linjë me angazhimet e marra përsipër me hyrjen në OSBE. Por ka gjithashtu edhe një iniciativë nga zyra për të drejtat e njeriut dhe institucionet demokratike në Varshavë, e cila dërgoi paraprakisht një ekip”. Zoti Zanier vlerëson pjesëmarrjen aktive të Shqipërisë në këtë organizatë, por në mënyrë të veçantë edhe rolin që Shqipëria luan dhe do të vazhdojë të luajë në rajon. Përsa i përket vazhdimit të bashkëpunimit mes vendit tonë dhe organizatës që drejton, ai shprehet se tashmë bashkëpunimi është përqendruar ne institucionet e zhvillimit dhe jo si në fund të viteve ’90 kur në fokus ishte stabiliteti i vendit.
Ambasadori suedez, Patrik Swensson: “Të plotësohet KQZ, partitë politike të garantojnë një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm”/Ambasadori suedez per Shqipërinë, Patrik Swensson, në një prononcim për mediat ka folur rreth situatës politike në vendin tonë. Swensson së pari është ndalur tek situata parazgjedhore dhe fakti nëse Shqipëria do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme më 23 qershor, të cilat sipas tij janë një hap mjaft i rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Suedia si një vend anëtar i BE-së, është duke ndjekur me kujdes procesin e zgjedhjeve të 23 qershorit në Shqipëri dhe unë shpresoj dhe kam besim se vendi do të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, përveçse duhet të jenë të lira e të ndershme këto zgjedhje kurrsesi nuk duhet të cenojnë votën e lirë të qytetarëve shqiptarë më 23 qershor, ndaj dhe partitë politike duhet të punojnë për të garantuar një proces të tillë”- tha ai.
Ambasadori është ndalur gjithashtu edhe tek ngërçi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, i cili aktualisht është duke funksionuar vetëm me 4 anëtarë. “KQZ duhet që të plotësohet sa më shpejt, ai aktualisht funksionon me 4 anëtarë, por duhet që të plotësohet me 7 të tillë në mënyrë që procesi zgjedhor të ketë një mbarëvajtje të mirë dhe të sigurojë zgjedhje të ndershme. Rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian ku ajo aspiron të hyjë mund të hapet vetëm nëpërmjet realizimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme, vetëm kështu vendi mund të integrohet në familjen europiane”- deklaroi Swensson. Këto deklarata ambasadori suedez në Tiranë i ka bërë nga Korça ku zhvilloi një vizitë në një nga ekspozitat për klimën, realizuar nga fëmijët e shkollave të Korçës në bashkëpunim me Ambasadën suedeze.