OSBE, Wollfarth: Mbështetje KQZ-së për përgatitjen e zgjedhjeve të 23 qershorit

Kryetari i Prezencës së OSBE-së nxit institucionin e administrimit të zgjedhjeve në Shqipëri t’i përkushtohet tërësisht përgatitjes së zgjedhjeve
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth nxiti Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të përmbushë përgjegjësitë e tij, në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 23 qershorit.
Në një takim që pati sot me kryetaren dhe zëvendëskryetarin e Komisionit, Ambasadori Wollfarth bëri thirrje për profesionalizëm dhe paanësi në punën e Komisionit, si dhe theksoi nevojën e miratimit sa më të shpejtë të rregullores së re, për të përmirësuar funksionimin kolegjial mes anëtarëve të Komisionit dhe administratës së tij.
“Detyra dhe sfida kryesore e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është zbatimi i Kodit Zgjedhor në mënyrë profesionale, të paanshme dhe në kohën e duhur. Është shumë e rëndësishme që Komisioni të vijojë të punojë në këtë drejtim”, tha ambasadori Wollfarth.
Ai shtoi se Prezenca po planifikon një konventë të komisionerëve zgjedhorë, trajnim të komisionerëve të nivelit të mesëm dhe një fushatë për sensibilizimin e zgjedhësve që do të zhvillohen përpara zgjedhjeve. Gjithashtu, Prezenca ka financuar botimin e Kodit Zgjedhor të ndryshuar, në shqip dhe anglisht. “Prezenca e OSBE-së mbetet e gatshme për ta mbështetur administratën zgjedhore në punën e saj për të përmirësuar kapacitetet profesionale dhe teknike”, tha ai.
Çfarë diskutuat në këtë takim?
KQZ-ja dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri bashkëpunojnë ngushtë për përgatitjen e zgjedhjeve të muajit qershor të këtij viti. Qëllimi i vizitës së sotme këtu ishte, së pari, të theksonte rëndësinë e rregullores së KQZ-së, që ajo duhet ta miratojë në kohën e duhur. Përgatitjet për këtë janë duke u bërë – kjo është një nga gjërat që mësuam sot. Rregullorja lehtëson veprimtarinë e mirë dhe në mirëbesim, kështu që unë drejtova një ftesë, të kombinuar me një ofertë mbështetjeje, për rregulloren e brendshme. Rregullorja është e rëndësishme dhe do ta lehtësonte edhe më shumë punën thelbësore të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Gjithashtu, folëm edhe për situatën e disa çështjeve të rëndësishme aktuale, duke shpresuar njëkohësisht për vazhdimin e përgatitjeve të mira edhe lidhur me elementët e teknologjisë së informacionit sa i përket Fierit dhe Tiranës, përkatësisht numërimit dhe identifikimit të zgjedhësve. Gjithashtu, Prezenca do të bashkëpunojë me KQZ-në për trajnimin e mëtejshëm të komisionerëve zgjedhorë.
Po përsa i përket 21 Janarit dhe vendimit që dha gjykata? A keni ju një koment në lidhje me këtë vendim, duke parë që edhe ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe ajo e Bashkimit Evropian ka dhënë një koment dhe një reagim në lidhje me këtë vendim?
Gjykatat vendosin në bazë të ligjit, por ndjenjat e mia janë, në radhë të parë, për familjet e viktimave. Dhe, bazuar mbi shtetin e së drejtës, do të theksoja, gjithashtu, se pandëshkueshmëria, kur ka njerëz të vdekur në rrugë, është, padyshim, për t’u vënë në pikëpyetje. Duhet të shohim arsyetimin e vendimit të gjykatës dhe di se ekziston mundësia ligjore e apelimit të atij vendimi. Prandaj, ne do të vijojmë t’i ndjekim zhvillimet nga afër.